Politike

Ademi denoncon Policinë. Balla nga Shkodra: Sulmin e ideoi Berisha, Meta, Kryemadhi dhe Basha

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi denoncoi në Prokurori drejtuesit e Policisë së Shtetit për mos reagim nga ana e tyre kur një grup të rinjsh plaçkitën zyrat e selisë së PS-së gjatë protestës së organizuar në Shkodër.

“Qytetarët duhet ta dinë se kur disa të rinj, të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë, u drejtuan nga selia e PS, njoftova autoritetet më të larta të Policisë në Shkodër. Policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim. Ata nuk ju përgjigjën thirrjes për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike,”- thuhet në kallëzimin e Kryetares së Bashkisë Shkodër ndaj drejtuesve të Policisë Shkodër.

Kallëzimi penal i Ademit është bërë për mos zbatim të detyrave që sanksionon ligji për policinë e shtetit, përkatësisht për mos angazhimin në mbrojtjen e pronës publike dhe private dhe mos ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Paralelisht me denoncimin e Ademit, në Shkodër kanë mbërritur koordinatori i këtij qarku për PS-në, Ilir Beqja dhe kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla.

“Çka ndodhi sot nuk është vepër e shkodranëve. Shkodranët janë model i demokracisë në Shqipëri, i respektimit të vlerave dhe bindjeve politike të gjithsecilit. Por ka një parti politike që është munduar ta përdorë Shkodrën, kjo është PD dhe bashkë me të Ilir Meta që po e përdor politikisht. Sulmi i porositur nga Tirana, nuk është ideuar në Shkodër, ka për autorë Sali Berishën, Ilir Metën, Monika Kryemadhin dhe për fat të keq dhe Lulzim Bashën. Prej 30 vitesh nuk janë sulmuar kurrë selitë. Prej nesër do jetë gati përsëri për të kryer rolin e vet. PS nuk është një seli as në Tiranë e as në Shkodër, është forca më e madhe politike në mbarë Shqipërinë. Nuk ka asnjë dyshim që PS do fitojë dhe më 25 prill.

Jemi bashkë për të denoncuar këtë skenar dhune, e cila nisi duke vjedhur një protestë paqësore për një humbje jete”, tha Balla. Më tek ai shtoi: “Nga selia e PS në Shkodër i bëj thirrje popullit të Shkodrës, aktet e ndodhura këto ditë janë grabitje e protestës. Basha e kupton fare mirë degradimin ku po shkon PD dhe LSI. Kryemadhi që është një rekrutuese e minorenëve i bëj thirrje të heqë dorë nga pagesa e minorenëve dhe i bëj thirrje prindërve të mbajnë nën kontroll fëmijët e tyre.

Prokuroria dhe institucionet e tjera kanë bërë verifikimet e tyre. I nxisim t’i shkojnë deri në fund”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë