Vllaznia-Partizani është pa dyshim ndeshja më e rëndësishme e javës së tetë të Superiores, që luhet e gjitha sot. Në “Loro Boriçi”, shkodranët që mbajnë vendin e pare, presin një rival direkt si Partizani, aktualisht i treti. Pritet një ndeshje e bukur në Shkodër, me dy skuadra që luajnë një futboll sulmues.
Zërat për një ofertë të presidentit Alban Xhaferi për sulmuesin e Kombëtares, Bekim Balaj, i kanë bërë shkodranët të ëndërrojnë për titullin kampion. Ecuria e deritanishme është mjaft e mirë, skuadra duket e transformuar dhe luan pa presion. Partizani është një provë shumë e rëndësishme për Vllazninë, që ka grumbulluar 16 pikë pas 7 javësh.
Skuadrat e tjera që pretendojnë titullin kanë ndeshje më të lehta në letër. Kukësi, që vjen pas 4 fitoresh radhazi, luan me Skënderbeun në stadiumin e Elbasanit dhe mundësitë për një tjetër trepikësh janë të mëdha. Edhe Kukësi, ashtu si Vllaznia, është ndër skuadrat më në formë të momentit dhe ndaj korçarëve mendohet të mos ketë vështirësi.
Tirana ndeshet me Apoloninë dhe ka shansin për fitoren e dytë radhazi, pas asaj në transfertën e Laçit në mesjavë. Trajneri Nevil Dede është i bindur se skuadra ka bërë kthesën dhe gradualisht do të ngjitet në katet e sipërme të klasifikimit. Apolonia ka marrë fitoren e parë dhe vjen me moral të lartë në këtë ndeshje, por kuptohet që Tirana është favorite.
Në stolin e Laçit debuton sot trajneri Shpëtim Duro. Ai e nis aventurën kurbinase në fushën e Teutës, në një transfertë shumë të vështirë, pasi durrsakët kanë nevojë për pikë. Bylisi i vendit të fundit pret Kastriotin në fushën e tij.
Superiore, java e tetë
Sot
Tirana-Apolonia
Bylis-Kastrioti
Kukësi-Skënderbeu
Teuta-Laçi
Vllaznia-Partizani
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje