Interi ka kapërcyer momentin e vështirë pas eliminimit në Ligën e Kampionëve, duke marrë një fitore për “infarkt” në fushën e Kaljarit. Deri në minutën e 77-të, zikaltrit po humbisnin 1-0, por për 13 minuta ata përmbysën gjithçka në 1-3, me golat e Barelës, D’Ambrozios dhe Lukakut.
Një fitore që e ka çliruar trajnerin Konte dhe ekipin, që tashmë ka si objektiv vetëm kampionatin. Interi mban vendin e dytë me 24 pikë, ndërsa Milani ka 27 pikë pas 11 javësh. Kryesuesit mund të kishin 2 pikë më shumë, nëse Diaz dhe Çalhanoglu dy herë nuk do të kishin fatin e keq të ndaleshin nga shtylla dhe traversa ndaj Parmës.
Milani barazoi 2-2 në shtëpi, por mund të shkonte më keq për kuqezinjtë, të cilët u gjendën në disavantazhin e dy golave. Teo Hernandez ishte “heroi” i skuadrës së Piolit me 2 gola, i dyti në kohën shtesë. Kjo javë ishte pozitive dhe për Juventusin, që fitoi 1-3 në fushën e Xhenoas. Më në fund, Pirlo ka gjetur dyshen Dibala-Ronaldo, ku i pari shënoi golin e parë, ndërsa portugezi më pas realizoi dy herë me penallti.
Juventusi ka 23 pikë dhe renditet i katërti. Në të njëjtën kuotë është edhe Napoli, që mban vendin e tretë, pasi ka golaverazh më të mirë se kampionët e Italisë. Fitoren më bindëse sot e ka arritur Roma në fushën e Bolonjës, ku fitoi 1-5 dhe tashmë e sheh veten në vend të 6-të me 21 pikë.
Titullarë në ndeshjet e sotme ishin dy mbrojtësit e Kombëtares, Marash Kumbulla për Romën dhe Berat Gjimshiti për Atalantës. I dyti madje ishte protagonist në një nga golat në fitoren 3-0 të Atalantës ndaj Fiorentinës, duke dhënë një asist. Hysaj, edhe pse rezultoi negativ, nuk ishte i grumbulluar me Napolin për ndeshjen ndaj Sampdorias.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje