Politike

15 mln euro hua për pandeminë, Meta dekreton ligjin brenda ditës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar brenda 24 orësh ligjin  “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim  dhe Zhvillim për projektin për reagimin ndaj emergjencës COVID-19 në Shqipëri”.

Marrëveshja u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë me 3 dhjetor, por vetëm 11 ditë më pas ka mbërritur në Presidencë.

Marrëveshja synon marrjen nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim të një huaje në vlerën 15 milionë euro, që do të përdoret për Projektin për Reagimin ndaj Emergjencës COVID-19 në Shqipëri.

Projekti parashikon mbështetjen e sistemit shëndetësor për të reaguar ndaj infeksionit COVID-19 menjëherë dhe në periudhë afatmesme. Kjo marrëveshje synon parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj rrezikut që paraqet përhapja e infeksionit COVID-19, si dhe fuqizimin e sistemeve kombëtare të gadishmërisë së shëndetit publik

Mbështetja do të fokusohet në tre drejtime kryesore:  Së pari, parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19; Së dyti, rritjen e kapaciteteve të sistemit shëndetësor për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe sëmundje që lidhen me të; Së treti, masat për distancimin fizik dhe komunikimin në distancë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë