Politike

Bledi Çuçi ministër i Brendshëm, Milva Ekonomi ministre Bujqësie

U përfol Taulant Balla, Mimi Kodheli, Elisa Spiropali e deri tek emra më pak të njohur dhe me një karrierë më modeste në politikë dhe qeverisje. Por, në fund, Edi Rama “i tribloi” të gjithë dhe si pasues të Sandër Lleshajt në krye të Ministrisë së Brendshme vendos një emër të beftë.

Bledi Çuçi do të jetë ministri i ri i Brendshëm i vendit, që do të zëvendësojë Sandër Lleshajn e dorëhequr pas protestave që shpërthyen për vrasjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha.

Rama njoftoi përmes rrjeteve sociale se emrin e Çuçit do ta dërgojë në Presidencë për dekretim, ndërkohë që në postin e lënë bosh nga Bledi Çuçi në krye të Bujqësisë do të propozohet Milva Ekonomi.

“Do të dërgoj për dekretim nga Presidenti, Bledi Çuçin si ministër të Brendshëm dhe Milva Ikonomin si ministre Bujqësie; dy bashkëpunëtorë të përkushtuar në çdo detyrë që kanë kryer këto vite, me integritet, profesionalizëm dhe kulturë qytetare e politike të padyshimtë”, shkruan Rama.

Megjithatë, zgjedhja e Bledi Çuçit nuk duket krejt rastësore. Me zgjedhjet e 25 prillit që po trokasin, Ministria e Brendshme ka një rol thelbësor në organizimin dhe mbarëvajtjen e tyre. Çuçi mund të mos jetë i familjarizuar me rendin dhe sigurinë, por njeh mirë pushtetin vendor, legjislacionin dhe proceset zgjedhore.

Si ish-ministër i Shteti për Çështjet Vendore në mandatin e parë të Edi Ramës, ai mbajti peshën kryesore në hartimin dhe zbatimin e reformës administrativo-territoriale, reformë kjo e kritikuar deri diku nga ana e opozitës, që akuzon se qëllimi i saj ishte favorizimi elektoral në zgjedhje i Partisë Socialiste.

Ndërsa në jetëshkrimin e tij ka si përvojë edhe pozicionin si ekspertë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, nga prilli i 2010 deri në dhjetor të 2011. Detyra e tij ka qenë ofrimi i ekspertizës ligjore për përmirësimin e Kodit Zgjedhor, përgatitja e dispozitave ligjore dhe amendimin e këtij kodi dhe bashkëpunimi me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë në përgatitjen e rekomandimeve për Komisionin Parlamentar.

Çuçi është diplomuar në Juridik në Universitetin e Tiranës në vitin 1995. Në vitet 1997-1998 ka kryer masterin në Belgjikë për menaxhim. Për disa vite ka punuar si ekspertë pranë shoqatave dhe instituteve të shoqërisë civile, vendore dhe ndërkombëtare, deri tek këshilltar për reformimin e administratës publike në Kosovë.

Portofoli i ministrit të Brendshëm është maja e karrierës politike të Çuçit, që vendin e lënë bosh te Ministria e Bujqësisë do t’ja lirojë Milva Ekonomit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë