Futboll

Goli ndaj Partizanit i kushton 200 mijë lekë gjobë Vllaznisë

Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së ka vendosur sot që Vllaznia të gjobitet me 200 mijë lekë (të rinj), pasi nuk ka përmbushur si duhet përgjegjësitë e saj në lidhje me organizimin e ndeshjes me Partizanin, ku fitoi 1-0.

“KF Vllaznia, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive, duke mos respektuar Protokollin Sanitar të FSHF-së dhe Urdhrin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nr. 633, datë 17.11.2020 “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”, dënohet me gjobë në masën 200.000 lekë”. Ky është vendimi i Disiplinës.

Në ndeshjen në fjalë, në tribunën “VIP” të stadiumit “Loro Boriçi” ishin 500-600 tifozë të Vllaznisë, të cilët shpërthyen në festë, kur skuadra e tyre shënoi golin e fitores, 4 minuta para fundit. Në fakt, ata ishin aty që në fillim të ndeshjes dhe zyrtarët e FSHF-së nuk morën asnjë masë.

Pamje nga tribuna qendrore e stadiumit “Loro Boriçi”. Gazeta Si, 16 dhjetor 2020

Nëse edhe zyrtarët do të kishin zbatuar rregulloren, as Vllaznia nuk do të gjobitej sot. Arbitrat dhe delegati u kujtuan vetëm kur Vllaznia shënoi dhe kërkuan që tribuna të boshatisej për 4 minutat e fundit. Nëse nuk do të ishte shënuar goli, asgjë nuk do kishte ndodhur, edhe pse nuk është respektuar protokolli.

Çështjen në fakt e ngriti drejtori i Partizanit, Olsi Rama, i cili pas ndeshjes theksoi se nuk është e drejtë që Vllaznia të ketë kaq tifozë të pranishëm. Sigurisht, ai ka të drejtë, rregullorja duhet zbatuar, por në këtë rast ishte edhe një mënyrë për të larguar vëmendja nga humbja e Partizanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë