Bota

Serbia do të marrë edhe vaksinën ruse dhe atë kineze

Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që përveç vaksinës së ofruar nga nisma e miliarderit Bill Gastes dhe OBSH-së, e njohur si COVAX, ka nisur bisedimet edhe për marrjen e vaksinave ruse dhe kineze.

Sipas Presidentit Aleksandër Vuçiç, Serbia deri më tani ka siguruar 1.8 milionë doza vaksine përmes COVAX, me një dërgesë të parë prej 10,000 dozash që pritet në dhjetor.

Vuçiç tha se përveç vaksinës së Pfizer, Beogradi po negocionte gjithashtu me aleatin ortodoks Rusinë si dhe Kinën.

“Ne negociojmë me të gjithë të tjerët që gjithashtu mund të sigurojnë vaksinën, pasi që kemi nevojë për sasi shumë më të mëdha,” tha Vuçiç në një fjalim para mediave.

Por nuk dihet se sa para ka dhënë Serbia në nismën COVAX ose në marrëveshje bilaterale me vende ose kompani të tjera.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, qeveria thotë se vendi duhet të marrë 1.23 milion doza vaksinash vitin e ardhshëm, përmes COVAX. Qeveria thotë se kjo do të mbulojë afërsisht 20 përqind të popullsisë, me supozimin se vaksina kërkon dy doza.

Por si Serbia, Republika Srpska kryesisht e populluar nga serbët, është po ashtu në bisedime për vaksinën Sputnik të prodhuar nga Rusia.

“Ne jemi duke negociuar intensivisht me institucionet kompetente ruse për shpërndarjen e vaksinës Sputnik dhe, realisht, kontingjenti i parë do t’i dorëzohet Republika Srpska në shkurt të vitit të ardhshëm,” i tha Dusko Peroviç, kreu i Përfaqësimit të Republika Srpska në Moskë.

Që vaksina të përdoret në mënyrë të ligjshme, megjithatë, ajo ka nevojë për miratim nga Agjencia Boshnjake për Produkte Mjekësore dhe Pajisjet Mjekësore, jo thjesht nga ministria e shëndetit e Republika Srpska.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë