Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, me ndryshimet e bëra së fundi në statutin e institucionit që drejton, ka bllokuar çdo rrezik që mund ta largojë atë nga ky post. Duka është tashmë një president i përjetshëm i FSHF-së, pasi ndryshimet e propozuara janë miratuar me 56 vota pro në Asamblenë e Jashtëzakonshme të FSHF-së, të zhvilluar sot “online”.
Po çfarë thonë ndryshimet në statut dhe përse këto ndryshime largojnë çdo rrezik që dikush të sfidojë dhe të marrë me vota karrigen që Duka e mban prej 18 vitesh?
Në pikën 8 të statutit, ku përcaktohen kriteret për zgjedhjen e presidentit të FSHF-së dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, janë bërë dy ndryshime thelbësore. Ato shmangin rrezikun që Dukës mund t’i vijë nga politika, si dhe nga personalitete të rëndësishme të futbollit shqiptar dhe me shumë reputacion.

Ndryshimi i parë është se presidenti i FSHF-së, sipas statutit të ri, duhet të jetë shqiptar dhe me banim të përhershëm në Shqipëri. Është shtuar fjala “i përhershëm” në krahasim me statutin e parë, ku shkruhej: “duhet të jetë shqiptar dhe të banojë në Shqipëri). Kjo do të thotë se emra si Igli Tare dhe Rudi Vata, dy ish-kapitenët e Kombëtares, të konsideruar ndoshta si kërcënim serioz për Dukën, veçanërisht i pari, nuk mund të kandidojnë, pasi të dy jetojnë jashtë vendit.
Ndryshimi tjetër në statut ka të bëjë me rrezikun që presidentit të FSHF-së i vjen nga politika. Një rrezik i madh, nëse u referohemi zgjedhjeve të fundit, kur rival i Dukës ishte deputeti Bashkim Fino. Sipas statutit të ri, nuk mund të garojë për president një person që ka qenë debutet 5 vitet e fundit. Kështu, kandidatura e Finos bie poshtë. Sa për kujtesë, zgjedhjet e fundit ishin të vetmet, ku Duka ka fituar me shumë vështirësi.
Jo vetëm kaq. Për të shmangur një tjetër rrezik që vjen nga politika, në statutin e ri vihet re se u është hequr e drejta e votës klubeve të Kategorisë së Dytë. Bëhet fjalë për 27 klube, që do të thotë 27 vota. Janë klube që kryesisht administrohen nga bashkitë e qytetit dhe në krye të tyre janë përfaqësues të krahut të majtë. Të drejtë vote kanë tashmë vetëm klubet e Superiores dhe të Kategorisë së Parë. Janë shtuar ndërkohë votat e Shoqatave Rajonale të futbollit, që janë krijuar nga vetë FSHF-ja.

Me të gjitha këto ndryshime statutore, fitorja e Armand Dukës në zgjedhjet e ardhshme as që mund të vihet në diskutim. Gjatë asamblesë së sotme askush nuk e kundërshtoi kreun e FSHF-së. Gjatë fjalës së tij në këtë asamble presidenti Armand Duka theksoi se ndryshimet në statut janë bërë me ekspertët më të mirë të fushës dhe janë në përputhje me statutet tip të federatave europiane. Dhe pasi pastroi fushën nga rreziqet, ai kaloi në sulm e zakonshëm ndaj qeverisë, që nuk po bën asgjë për sportin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje