Politike

Dosja 184 për zgjedhjet, Bardhi: Drejtësia s’mund të vihet në vend me disa peshq të ngordhur

Duke mbetur në pritje të njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Dibrës dhe njohjen me aktet e plota të dosjes së ashtuquajtur 184 për zgjedhjet e kaluara, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi tha paraprakisht përmes një konference për shtyp se drejtësia nuk bëri drejtësi me dosjen në fjalë.

“Dosja 184, ku kryeministri Edi Rama, Ministri i Ekonomisë, Damian Gjiknuri, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deputetët Pjerin Ndreu, sot kryetar i Bashkisë Lezhë, Ulsi Manja, Xhemal Qefalia, Artan Gaçi janë dëgjuar nga shqiptarët duke urdhëruar dhe zbatuar vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër bashkë me personazhe të krimit të organizuar.

Në vend që të gjithë këta, bashkë me Ymer Lalën apo Dionis Imerajn të  ishin sot para drejtësisë, të ndëshkuar për vjedhjen e zgjedhjeve, e ashtuquajtura drejtësi pret të kalojë koha, të mos hetojë dhe të çlirojë nga akuza Edi Ramën dhe bandën e tij të manipulimit të zgjedhjeve në Dibër”, tha Bardhi përmes një konference për shtyp.

Sipas tij, ngritja e akuzave nga prokuroria vetëm për disa zyrtarë lokalë dhe “përjashtimi nga përgjegjësia penale e organizatorëve, nxitësve dhe urdhëruesve të vertetë të manipulimit të zgjedhjeve në Dibër nuk është drejtësi”.

“Shkelja e ligjit nga maja e pushtetit nuk mund të mbulohet me peshqit e vegjël dhe të ngordhur të pushtetit që rri në këmbë nga votat e vjedhura.

Loja e SPAK dhe ping – pongu me dosjen në segmentin Tiranë-Dibër, nuk është kurrë justifikim për mungesën e drejtësisë.

Shitblerja e votave, e konstatuar nga prokuroria ka përgjegjës, së pari, Edi Ramën, Damian Gjiknurin, Imer Lalën, Dionis Ymerin, Pjerin Ndreun dhe të tjerët”, tha Bardhi, duke nënvizuar se, “Partia Demokratike nuk do të heqë dorë nga kërkesa për drejtësi të plotë për dosjen 184”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë