Politike

Spiropali nuk komenton Vjosa Osmanin, por merret me sjelljen e Metës dhe Bashës për Kosovën

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, nuk ka komentuar asnjë prej qëndrimeve apo kërkesave të Presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, që parashtroi në një vizitë tre ditore në Tiranë (adresuar kësaj qeverie), por ka gjetur fort kohë për tu  marrë me sjelljen e Presidentit, kryetarit të opozitës apo edhe ish-kryeministrit Berisha gjatë takimeve që zhvilluan me Osmanin.      

“Tërmeti dhe Pandemia nuk kishin qenë kushedi se çfarë. Po na shohin sytë e po na dëgjojnë veshët budallallëqe nga më të pabesueshmet dhe propagandë nga më bajatet. Shqipëria kurrë nuk është kursyer për t’iu gjendur Kosovës. Në luftë dhe në paqe. Brenda dhe jashtë. Por nuk duan Luli, Likja, Saliu.

Mburraveci Luli Gjumi mori sot pozat e patriotit, i cili, me pushtetin e ardhëm që s’ka për ta pasur kurrë, gjumin që s’do i dalë asnjëherë, dhe tabelën e shumëzimit që gjithmonë do ta gabojë, do dënoka genocidin serb.

Lul, eja në vete gjumash! Për 8 vite në pushtet gjenocidin serb s’e zure kurrë me gojë…”, shkruan ministrja në Facebook.

Më tej ajo shton: “Likja (Ilir Meta) mori pozat e superpatriotit që paska mbrojtur integritetin territorial të Kosovës dhe për Atdhe s’lë medalje pa dhënë dhe nënshtetësi pa shitur.

E dha një kushtrim patriotik demoniak edhe Sali Berisha. Me një zë që mund të dalë vetëm nga gurmazi i shejtanit, tha ca gënjeshtra aq të trasha nga ato që vetëm mendja e djallit mund t’i nxjerrë nga fundi i ferrit…”

Elisa Spiropali nuk është kursyer për emrat sa më sipër për të dalë tek konkluzioni i saj se Basha, Meta dhe Berisha do të humbin më 25 qershor.

“Kur Likja s’do ketë më parti, Doktori do dalë përfundimisht në pension, Bashën do e zërë gjumi përgjithmonë”, shkruan Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë