Futboll

Mbyllet sot faza e parë e Superiores, transferta delikate për pretendentët

Me javën e 9-të që zhvillohet sot, Superiorja mbyll fazën e parë të kampionatit, pas së cilës do të krijohet edhe një ide më e qartë se cilat jaë skuadrat që do të luftojnë për titullin kampion. Për kryesuesit e renditjes kalendari rezervon transferta delikate, që kanë rëndësi në këtë moment.

Vllaznia feston golin ndaj Partizanit. Gazeta Si, 19 dhjetor 2020

Vllaznia e vendit të parë luan në Laç, ku gjen si kundërshtar edhe ish-trajnerin e saj, Shpëtim Duron. Shkodranët vijnë me entuziazmin e fitores me Partizanin dhe me atë që kanë treguar deri tani, nuk mund të quhen aspak ekip surprizë. Por Laçi është një “kockë e fortë” dhe me ndryshimin e trajnerit synon t’i afrohet zonës europiane, pas hapave të gabuar të javëve të para. Një fitore e mundshme në këtë ndeshje do t’i jepte “krahë” Laçit. Është një nga ato ndeshje, ku është e vështirë të bësh një parashikim.

Më të lehtë e ka Kukësi, që ka marrë superxhiro dhe sot ka mundësi për një tjetër fitore. Ndeshet me Kastriotin, por në fushën asnjanëse të Kamzës, kështu që të besuarit e trajnerit Skënder Gega pritet të mos e ulin ritmin. Edhe Tirana e ka më të lehtë se Vllaznia. Shkon në Korçë për të luajtur me Skënderbeun që ka probleme, pasi ka një ekip shumë të ri dhe në fushën e tij ka lënë pikë edhe ndaj Kastriotit. Për kampionët në fuqi bën punë vetëm trepikëshi.

Renditja e Superiores para javës së 9-të. Gazeta Si, 19 dhjetor 2020

Një transfertë delikate është edhe ajo e Teutës, që shkon në Fier, ku e pret Apolonia në krizë trajnerësh. Trajneri Edi Martini u shpreh i bindur për fitoren e Teutës, edhe pse e ka vlerësuar Apoloninë. Partizani, pas tri javësh pa fitore, sot mund të lërë pas momentin e vështirë, teksa ndeshet me Bylisin në Elbasan.

Superiore, java e 9-të
Sot, ora 13:45
Apolonia-Teuta
Kastrioti-Kukësi
Laçi-Vllaznia
Skënderbeu-Tirana
Ora 16:45
Partizani-Bylis


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë