Politike

PD: Mësimi online dështoi. Ku shkuan 18 mln euro për dixhitalizimin?!

Ish-deputeti i PD-së, Endri Hasa, tha përmes një konference për shtyp se, “dixhitalizimi i shkollave është një nga dështimet më të mëdha të kryeministrit Edi Ramës”.

“18 milionë euro të shpenzuara për dixhitalizimin janë zhdukur, duke bërë që shkollat në Shqipëri të jenë krejt të papërgatitura për mësimin online.

Për fat të keq, pasojë direkte e këtij dështimi të madh të qeverisë, është rënia e cilësisë së arsimit dhe rritja e nivelit të analfabetëve funksionale mes fëmijëve dhe të rinjve.

Banka Botërore llogarit se analfabetët funksionale në Shqipëri  e kalojnë 60%, një gjendje e përkeqësuar, pasi mësim të vërtetë online gjatë karantinës pothuajse nuk pati dhe as tani që zhvillohet në mënyrë të pjesshme”, tha ai.

Në letra janë 18 milionë Euro për projekte dixhitalizimi dhe mësimi online, por në realitet, sipas Hasës, nuk është bërë asgjë.

“Së pari, nuk ka infrastrukturë funksionale të IT. Shumica e shkollave dhe universitetet publike, ende nuk kanë kabinete funksionale, me kompjuter apo laptop për nxënësit dhe studentët. 6000 Tabletat e blera nga projektet janë zhdukur pa lënë gjurmë ose nuk punojnë. Shumica shkollave nuk kanë as laboratorë as pajisje komunikimi.

Në kohën e pandemisë kur tabletat duheshin më shumë se kurrë, ato nuk u përdorën pasi i kane vjedhur dhe kanë dalë jashtë funksionit.

Së dyti, nuk ka platformë dixhitale, funksionale dhe të destinuar për eLearning. Platforma e sajuar akademi.al nga zgjidhje u shndërrua në një hall e problem për mësues, prindër e nxënës.

Së treti, qeveria nuk investoi gjatë pandemisë asnjë qindarkë për mësimin online, nuk mbështeti familjet për sigurimin e internetit falas, siç u bë në shumë vende. Edhe aq sa u bë, u bë për shkak të përkushtimit të mësuesve nga pajisjet e tyre personale”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë