Politike

Tabaku: Buxheti 2021 i Bashkisë Tiranë, asnjë masë për biznesin e vogël

Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, tha të hënën se buxheti 2021 i Bashkisë së Tiranës (që pritet të miratohet këto ditë) nuk zgjidh problemet e përditshmërisë të qytetarëve. Sipas saj, buxheti nuk krijon vende pune përmes investimeve, por rrit numrin e punësuarve partiakë në administratën e bashkisë, që paguhen me taksat e qytetarëve të Tiranës.

“Buxheti që Erion Veliaj pritet të miratojë këto ditë nuk merr në konsideratë asnjë ndihmë për bizneset e vogla, megjithëse shumica e bizneseve të goditura nga pandemia janë në Tiranë. 

60 biznese mbyllen në ditë. Papunësia është rritur me 100 mijë të papunë, por për të zbutur këtë krizë të thellë Erion Veliaj nuk ka marrë asnjë masë në buxhet.

Në të kundërtën e ndihmës, Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka parashikuar të shtrydhë edhe më tej bizneset dhe qytetarët, të cilët do të paguajnë më shumë se këtë vit rreth 21 milionë euro taksë mbi ndërtesën”, thotë ajo.

Më tej, ajo vë re: “Të gjithë do të paguajmë më shumë edhe për pastrimin e qytetit. Janë 17 milionë euro më shumë për taksën e pastrimit, por këto nuk do të shkojnë që të kemi një qytet më të pastër jo vetëm në qendrën e tij. Erion Veliaj do t’i çojë paratë në llogarinë e incineratorit të Tiranës.

Tirana nuk është më vetëm vendi me ndotjen më të madhe, vendi me mungesën më të madhe të gjelbërimit, por vendi që i gënjen qytetarët se tarifat e parkimit janë në shërbim të ekosistemit. Qytetarët do të paguajnë më shumë se 4 milionë euro për parkim, ndërkohë që nuk kanë as shërbimet kryesore dhe asnjë masë ekologjike për qytetin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë