Ka ndodhur

Operacion antidrogë në Belgjikë, arrestohen 6 shqiptarë

8 persona janë arrestuar në Belgjikë për llogari të drejtësisë shqiptare, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Policia thotë se operacioni, i koduar “Atos”, është vijim i një tjetër operacioni të suksesshëm të zhvilluar në vitin 2018, ku u sekuestrua 1 ton kokainë dhe u arrestuan 10 shqiptarë.
Operacioni “Atos” u zhvillua prej datës 15 dhjetor deri më datën 21 dhjetor, në Shqipëri dhe Belgjikë. Si rezultat, janë identifikuar dhe arrestuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në drejtim të Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë.
Të arrestuarit janë:
Musa Gjikola, 34 vjeç
Genti Balliu alias Flamur Balliu, 37 vjeç, banues në Tiranë
Ramazan Rraja, 27 vjeç, banues në Nikël, Fushë Krujë
Fioralb Rraja, 24 vjeç, banues në Nikël, Fushë Krujë
Bledar Pepaj, 29 vjeç, banues në Pukë
Fatmir Xhecuka, 33 vjeç, banues në Laç
K.N. (shtetas lituan)
S.C. (shtetas grek)
Si dhe shtetasi F. Gj., për të cilin, pas arrestimit, Gjykata ka vendosur gjykimin në gjendje të lirë.
“Gjatë këtij operacioni, në periudha të ndryshme gjatë vitit 2019 dhe vitit 2020 janë sekuestruar nga Policia belge, në bashkëpunim me Policinë shqiptare, rreth 232 kilogramë kokainë, një armë zjarri pistoletë, si dhe rreth 200 mijë euro”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ky grup kriminal funksiononte duke ngarkuar lëndën narkotike në kontejnerët e bananeve nga Amerika Latine, duke e fshehur lëndën narkotike në arkat e bananeve dhe në trupin e kontejnerëve.
Pasi kontejnerët e pajisur nga trafikantët me GPS mbërrinin në destinacion, trafikantët ─ për të mos u identifikuar dhe zbuluar ─ organizonin vjedhje me armë të lëndës narkotike nga magazinat ose dhomat e pjekjes së bananeve.
Në këtë megaoperacion, për ushtrimin e kontrolleve në banesat e të arrestuarve u përfshinë strukturat hetimore të antidrogës në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Shkodër e Lezhë, nën drejtimin e SPAK-ut.
Gjithashtu, një grup specialistësh të Departamentit të Policisë Kriminale kanë zhvilluar në Gjermani dhe në Belgjikë, takime të përbashkëta me homologët, për të koordinuar veprimet që çuan në goditjen e këtij grupi të strukturuar kriminal.
Njëkohësisht, nën drejtimin e SPAK-ut, për shtetasit shqiptarë të arrestuar gjatë operacionit ka filluar hetimi pasuror.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë