Futboll

Nisin “ethet” e merkatos së janarit, Hasani dhe Bakaj intrigojnë Superioren

Pak ditë na ndajnë nga merkatoja e dimrit, ku klubet e Superiores, sidomos ato që kanë çaluar deri tani, mezi presin të ndërhyjnë. Këtu bën pjesë edhe Partizani, duke shpresuar të fitojë gjyqin për zhbllokimin e merkatos. Në fakt, është një periudhë, ku duhet të kesh fat për të gjetur ndonjë lojtar të mirë, sepse pjesa më e madhe janë nën kontratë dhe klubet që i kanë nuk i lëshojnë lehtë.

Në Shqipëri, thuajse të gjitha klubet synojnë për të marrë lojtarë nga jashtë vendit. Për momentin, janë dy emrat më intrigues, dy lojtarë me kualitet dhe shumë përvojë, si Ferhan Hasani dhe Elis Bakaj. Janë të dy sulmues dhe për momentin janë të lirë, kështu që gjithçka varet nga oferta financiare që ata do të marrin.

Hasani (djathtas) në një ndeshje me Maqedoninë e Veriut. Gazeta Si, 21 dhjetor 2020

Hasani, apo “Buba”, siç e njohin të gjithë, është një objektiv i Tiranës. Kampionët në fuqi kanë hasur vështirësi në 9 javët e deritanishme të kampionatit dhe kanë nevojë për futbollistë që të jenë në gjendje ta udhëheqin grupin. Mesfushori-sulmues nga Tetova është i tillë, por Tirana duhet të fitojë konkurrencën me klubet e tjera për 30-vjeçarin e aktivizuar me Helsinkin në Finaldë së fundi.

Ferhan Hasani ka luajtur me disa klube, si Shkëndija e Tetovës, Volfsburg dhe Brondbi, ka një bagazh të mirë teknik dhe Tiranës i bën shumë punë. Por mund të ndërhyjë edhe Kukësi i Nexhipit dhe Ibrahimit për ta joshur “Bubën”.

Elis Bakaj. Gazeta Si, 21 dhjetor 2020

Elis Bakaj ka mbyllur aventurën në Bjellorusi me Dinamo Brestin dhe mund të kthehet në Superiore, për t’u bashkuar me ndonjë nga ish-skuadrat e tij, Tiranën, Partizanin apo Kukësin. Kryeqytetasi 33-vjeçar është një lojtar që shëtit shumë, por në këtë moment mund ta penalizojë mosha për të luajtur sërish jashtë vendit, ndaj dhe ka më shumë shanse për t’u kthyer në Shqipëri. Bakaj dhe Hasani janë dy emrat, ku pritet të fokusohet merkatoja e janarit, por sigurisht që do të ketë edhe surpriza.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë