Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës rinovuan një traktat arkatik të ekstradimeve, që daton prej kohës së mbretërisë. Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.
Kim e vlerësoi paktin si dëshmi të marrëdhënieve të forta mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe që i jep fund pandëshkueshmërisë për personat që i shmangen ligjit në të dyja vendet.
“I japim fund pandëshkueshmërisë dhe nuk do të ketë asnjë strehë të sigurt për personat që duan t’i shmangen drejtësisë në Shqipëri, apo SHBA. Sa më efikase të jetë Shqipëria në ndjekjen penale të krimit ndërkombëtar, aq më e gatshme do të jetë në anëtarësimin drejt Bashkimit Europian”, tha ambasadorja.
Kryediplomatja amerikane u ndal më pas tek reforma në drejtësi dhe mbështetja e pakursyer e SHBA për SPAK dhe BKH.
“SPAK dhe BKH janë prioritet për SHBA-të. Suksesi i SPAK nuk është vetëm çfarë pret SHBA, por edhe ajo që shqiptarët duan, kanë nevojë dhe e meritojnë”, vijoi ajo.
Ambasadorja përçoi edhe një mesazh për Kuvendin, kur tha se priste që ai të mos e zvarrisë dhe ta ratifikojë sa më shpejt këtë marrëveshje.
Ministrja Gjonaj u shpreh se marrëveshja e re mbyll shtigjet ligjore për t’iu shmangur drejtësisë nga kriminelët e kërkuar në një nga dy vendet.
“Kjo marrëveshje shënon një hap përpara sa i përket luftës kundër krimit, për të mos lënë asnjë shteg në ndjekjen penale të autorëve përgjegjës për kryerjen e veprave penale në të dyja vendet. Askush nuk do të gjejë asnjë strehë për t’iu shmangur zbatimit të ligjit në SHBA dhe Shqipëri”, u shpreh ajo.
Deri më tani, mes dy vendeve ekzistonte një marrëveshje e nënshkruar në vitin 1993 nga Faik Konica, marrëveshje që nuk mbulonte të gjitha sferat dhe veprat kriminale.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kreu i SPAK, Arben Kraja dhe prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje