Politike

Zhaklina Peto “ngec” në KED, për shkak të… Covid-19. Çohen dy emrat e tjerë në Presidencë për Kushtetuesen

Zhaklina Peto fitoi për të dytën here të drejtën për të vijuar garën për në Gjykatën Kushtetuese nga Apeli Administrativ, por nuk po fiton dot betejën e nisur me KED e cila të mërkurën në mesdite ka lajmëruar se do të rimarrë në shqyrtim çështjen e saj.

Kjo sepse Zhaklina Peto që prej datës 19 dhjetor rezulton e infektuar me Covid-19 dhe ka lajmëruar se është e pamundur që të paraqesë dokumentet shtesë të kërkuara me vendim nga Apeli Administrativ, e për pasojë ka kërkuar edhe shtyrjen e mbledhjes.

Kërkesa në fjalë sa duket nuk është marrë parasysh, ose se paku kështu rezulton, sa kohë që KED është mbledhur tashmë për të shqyrtuar sërish emrin e saj përballë një tjetër kandidature Sonila Bejtja, për vendin e lënë bosh nga Besnik Muçi..

Pak kohë më parë, Zhaklina Peto e rikthyer nga Administrativja u skualifikua nga KED me argumentin se ajo kishte mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji për të qenë anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Zhaklina Peto ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1995 dhe zotëron titullin Master në Shkencat Civile si dhe PHD.

Zhaklina Peto paditi në SPAK ish-nënkryetaren e KED Vitore Tusha dhe relatoren që e verifikoi Miranda Andoni, duke e drejtuar gishtin e pakënaqësisë drejt një anëtari konkret.

Saga e garës së saj vijon ende dhe mbledhja e të mërkurës pritet të përcaktojë shumëçka në rastin e saj, nëse çështja për të do të shtyhet ne Janar me një tjetër përbërje të KED, apo gjithçka do të përfundojë sot. Të paktën nga KED.

Ndërkohë. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimeve miratoi vendimin për pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve të lejuar, Aleksandër Toma dhe Përparim Kalo për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës. Dy kandidatët zëvendësojnë ish-anëtarin e Kushtetueses, Besnik Imeraj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë