Gjykata Kushtetuese i rikthehet funksionimit, duke plotësuar kështu një nga kërkesat e Yuri Kim për emërimin e gjashtë anëtarëve në këtë trupë, aq sa është nevoja për plotësimin e kuorumit vendimmarrës.
Këtë të mërkurë, Presidenti Ilir Meta ka zgjedhur emrin e Përparim Kalos si anëtar të gjashtë të Gjykatës Kushtetuese. Meta nuk ka humbur kohë dhe mes dy emrave të dorëzuar nga KED po këtë të mërkurë ka zgjedhur njërin prej tyre.
Këshilli vendosi të martën përfundimin e procedurës së vlerësimit për Altin Binajn për shkak të zgjedhjes së këtij të fundit anëtar në Kushtetuese nga Kuvendi. Dy kandidaturat që iu përcollën Presidentit për të zgjedhur njërin prej tyre ishin Përparim Kalo dhe Aleksandër Toma.

Me emërimin e Përparim Kalos, Gjykata Kushtetuese plotëson kuorumin e gjashtë anëtarëve. Ata janë: Vitore Tusha, Marsida Xhaferllari, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Altin Binaj dhe Përparim Kalo.
Rikthimi në funksion i Gjykatës Kushtetuese është edhe një prej kushteve të Bashkimit Europian para mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë në kuadër të negociatave të anëtarësimit.
Reagimet e ambasadorëve
Pas lajmit të rëndësishëm kanë reaguar me radhë ambasadorja amerikane Yuri Kime, ambasadori gjerman Peter Zingraf dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.
Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, e ka quajtur një lajm të madh emërimin e gjyqtarit Përparim Kalo si anëtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese. “Lajm i madh. Presidenti Meta ka dekretuar Përparim Kalon si gjyqtar të 6-të të Gjykatës Kushtetuese. Sapo Kalo të bëjë betimin nesër, do të ketë kuorum. Shqipëria do ta përmbyllë vitin 2020 me një Gjykatë Kushtetuese funksionale- pas gati 3 vitesh. Presidenti, KED dhe Parlamenti kanë një meritë të madhe! Ky ishte një veprim urgjent nga udhëheqësit, në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias. Me një Gjykata Kushtetuese funksionale, Shqipëria tani plotëson kushtin për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Ky është një hap gjigant përpara. Urime popullit të Shqipërisë! Le të vazhdojmë të ecim përpara”, – shkruan Kim në Tuiter.
Ambasadori gjerman, Peter Zingraf, e ka cilësuar gur kilometrik në konsolidimin e shteti ligjor bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese. Ai shkruan: “Zgjedhja e sotme e z. Përparim Kalo si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese është një gur kilometrazhi në rrugën drejt konsolidimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Falenderimi im shkon për të gjitha institucionet, që ditët e fundit bashkëpunuan në mënyrë konstruktive në interes të kësaj çështjeje. Një gjykatë kushtetuese funksionale është kolonë qendrore në ekuilibrin institucional dhe ndarjen e pushteteve në Shqipëri. Gëzohem që në këtë mënyrë është përmbushur një kusht qendror prej konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian në mars 2020 për zhvillimin e konferencës së parë të anëtarësimit”.
Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, ka theksuar se me funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese Shqipëria hedh hapin kryesor në plotësimin e kushteve për tryezën e parë me BE-në. “Sot Presidenti Ilir Meta ka dekretuar Përparim Kalo si Anëtari i 6-të i Gjykatës Kushtetuese. Z. Kalo do të betohet nesër nga Presidenti. Ky vendim shumë i rëndësishëm siguron tani funksionalitetin e plotë të Gjykatës. Ne e përgëzojmë Presidentin, Parlamenti, KED dhe Institucionet e tjera për të dhënë një rezultat kaq të rëndësishëm, i cili është një arritje e konsiderueshme për Shqipërinë, qytetarët e saj dhe për reformën e drejtësisë. Ai gjithashtu përfaqëson një hap kryesor për të kompletuar listën e kushteve të nevojshme për të filluar së pari tryezën e parë ndërqeveritare për bisedimet e pranimit midis BE-së dhe Shqipërisë”, – shkruan Soreca.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje