Futboll

MekKeni dhe Hauge, afrimet më të goditura të verës në Serinë A

Është koha për të bërë një bilanc sa u takon afrimeve që janë bërë gjatë merkatos së verës në Serinë A. Dhe shifrat e deritanishme tregojnë se Juventusi dhe Milani kanë goditur në shenjë, bardhezinjtë me mesfushorin Ueston MekKeni, kurse kuqezinjtë me sulmuesin Jens Peter Hauge. Janë lojtarë që janë afruar me shifra të ulëta, ndërkohë që kanë pasur rendiment të lartë në fushë.

Mes 5 blerjeve më të mira në kampionatin italian janë edhe ato të Moratës nga Juventusi, Skamakës nga Xhenoa dhe Pedros nga Roma. Alvaro Morata ka shifra impresionuese. Sulmuesi ka kaluar te kampionët në fuqi në huazim nga Atletiko Madrid për 10 milionë euro, me të drejtë blerjeje për 45 milionë euro. Në 17 ndeshje, Morata ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë 7 asiste. Ueston Mekkeni është marrë në huazim për 4.5 milionë euro nga Shalke 04, me të drejtë blerjeje për 18.5 milionë euro. Në 15 ndeshje, me Juventusin, ai ka shënuar 2 gola dhe ka dhënë 2 asiste.

Ueston MekKeni, kur prezantohej te Juventusi. Gazeta Si, 25 dhjetor 2020

Jans Peter Hauge është blerë nga norvegjezaët e Bodo Glimt për 5 milionë euro. Në 14 ndeshje që ka luajtur me Milanin, ai ka realizuar 4 gola dhe ka dhënë 1 asist. Norvegjezi ka pasur një ambientim shumë të shpejtë në futbollin italian, duke i befasuar të gjithë. Në shumicën e ndeshjeve është aktivizuar si zëvendësues, por thuajse gjithmonë ka lënë shenjë.

Xhanluka Skamaka është një goditje e Xhenoas, që e ka marrë në huazim nga Sasuolo. Në 13 ndeshje të luajtura, ai ka shënuar 6 gola dhe ka dhënë edhe një asist. Pedro ka rezultuar vërtet një afrim me shumë vlera. Roma e ka marrë me parametra zero, pasi i kishte përfunduar kontrata me Çelsin. Në 18 ndeshje, spanjolli ka shënuar 4 gola dhe ka dhënë 4 asiste.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë