Superiorja ecën me “marshin e 5-të”, me ndeshje në mesjavë dhe në fundjavë. Sot luhen ndeshjet e javës së 11-të, 2 prej të cilave janë përballje rivalësh direkt, ndërsa Vallaznia kryesuese ka mundësinë për të krijuar distancë më të madhe pikësh me ndjekësit, nëse mund Skënderbeun.
Shkodranët luajnë në “Loro Boriçi” dhe po kalojnë një moment shumë mirë, kurse korçarët janë në krizë. Edhe ndeshjen e fazës së parë në Korçë e ka fituar Vllaznia, që sot, në rast fitoreje, mund të përfitojë për ta thelluar diferencën prej 5 pikësh që ka aktualisht me Kukësin.

Kukësi ndeshet me Partizanin në Elbasan. Një ndeshje e veçantë kjo për trajnerin Skënder Gega, i cili dy sezone më parë i ktheu të kuqtë te titulli kampion pas shumë vitesh. Partizani u kthye te fitorja në mesjavë, ndërsa Kukësi vjen pas gabimit me Kastriotin dhe nuk i falet një tjetër hap fals.
Sfida tjetër mes rivalësh është ajo që do të luhet në Durrës mes Teutës, në një formë të mirë sportive javët e fundit, dhe Tiranës. Kampionët në fuqi po vuajnë këtë sezon dhe shpëtimin e shohin te merkatoja e dimrit, por më parë duhet të grumbullojnë sa më shumë pikë për të mos u larguar edhe më shumë nga kreu.
Sot luhet edhe derbi mes Bylisit dhe Apolonisë, dy skuadra që qëndrojnë në vendet e fundit. Ballshiotët, duke pasur në favor faktorin fushë, pritet t’i japin një tjetër goditje Apolonisë. Laçi ndeshet me Kastriotin në Kamzë dhe mendohet të vazhdojë ecurinë e mirë të dy javëve të fundit.
Superiore, java e 11-të
Sot, ora 13:45
Bylis-Apolonia
Kastrioti-Laçi
Vllaznia-Skënderbeu
Ora 16:45
Partizani-Kukësi
Teuta-Tirana
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje