Lulzim Basha premtoi subvencionim të tarifave të shkollimit për 90 për qind të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lek në muaj. Zotimi i kreut të Partisë Demokratike u bë gjatë një bashkëbisedimi me studentë të Fakultetit të Ekonomisë së Tiranës.
“Unë ju siguroj se si kryeministër i ardhshëm prioritet do të kenë praktikat mësimore për studentë, do kenë subvencionimi 100% i tarifave për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë në muaj. Prioritet do të jetë programi ynë për subvencionimin e fermerëve me 100 milionë euro në vit. Prioritet për mua do të jetë taksa 9% që Shqipëria të jetë konkurruese me rajonin dhe të thithë investime të huaja. Prioritet për mua do të jetë rritja e pensioneve dhe jo 10 oligarkët pranë qeverisë, dhe ky është një objektiv i shpallur të cilit do t’i shkojmë deri në fund me vendosmërinë më të madhe brenda kohës më të shkurtër të mundshme”, tha ai.
Basha deklaroi se nëse ka vullnet ekzistojnë mekanizmat që të realizojë këto prioritete në gjashtë muajt e parë të qeverisjes. Kreu i PD-së iu rikthye premtimit se do të përdorë ligjin antimafia për të hetuar pushtetarët, sipas tij të korruptuar sot dhe grushtin e oligarkëve që imponojnë vendimmarrjet politike të dëmshme për qytetarët.
I pyetur nga studentët, Basha ngriti shqetësimin për situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19, që ka sjellë një krizë të thellë në ekonomi për shkak edhe të keqmenaxhimit nga qeveria. Basha premtoi një kabinet të vogël, që do të eleminojë shpenzimet e fryra dhe punësimet nepotike dhe militanteske në administratë.
“Ne besojmë tek qeverisja e vogël. Ne besojmë që taksat e shqiptarëve duhen shfrytëzuar më mirë për të ndërtuar një infrastrukturë moderne, që mbështet ekonominë, por gjithashtu për të ndihmuar arsimin dhe shëndetësinë. Nuk besoj në shtetin klientelist që përgjigjen e vetme ndaj varfërisë dhe mjerimit e ka të hapë vende pune të panevojshme, thjeshtë dhe vetëm me rrogë dhe këto rroga paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe kjo është formula e falimentimit, dhe ju e dini që sot shteti shqiptar është de facto i falimentuar”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje