Politike

12 miljet e Greqisë, Meta: S’do lejoj të cenohen interesat tona, por s’kam njoftim për ndërprerje negociatash

Dekreti presidencial mbi mbylljen e gjireve dhe përcaktimin e zonave detare në detin Jon dhe deri në Kepin Tainaro në Peloponez hyri në fuqi të dielën. Hapi tjetër pas këtij dekreti do të jetë zgjerimi me 12 milje në Detin Jon, ashtu siç ishte paralajmëruar nga kryeministri grek Qiriako Mitsotaqis në gusht të këtij viti. Qeveria greke planifikon të zgjerohet në Jon, duke nisur nga ishulli pothuajse i pabanuar i Othonoit, përpara se çështja e kufirit detar me Shqipërinë të shkojë në Gjykatën e Hagës.

Për këtë lëvizje të Greqisë, ka reaguar edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

“Në ushtrim të detyrave dhe përgjegjësive të mia dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese Nr.15/2010, kam autorizuar Plotfuqinë për Negocim Nr.733, në emër të Republikës së Shqipërisë, të ekipit negociator me përbërjen e 13 anëtarëve për negocimin e “’Projekt Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare’, me qëllim saktësimin e Vijës Delimituese të Kufirit Shtetëror Detar dhe delimitimin e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike midis të dy vendeve”, datë 19.03.2018.

Gjatë gjithë kohës, kam ofruar të gjithë bashkëpunimin në këtë proces, duke siguruar respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Meta duke nënvizuar se deri më tash nuk ka asnjë njoftim apo kërkesë zyrtare, që të sugjerojë ndërprerjen, pezullimin apo përfundimin e procesit të negociatave dypalëshe, nga ekipi negociator apo nga qeveria shqiptare.

“Për çdo zhvillim, që lidhet drejtpërdrejt apo ndikon në procesin e negociatave për delimitimin e hapësirës detare ndërmjet dy vendeve, kam kërkuar informacion shterues dhe analizë të plotë të qeverisë shqiptare, sipas përgjegjësive, që i takojnë sipas ligjit.

I rikujtoj edhe një herë përfaqësuesve të institucioneve në të gjithë nivelin hierarkik shtetëror, detyrimin dhe përgjegjësinë për përputhshmërinë e plotë të veprimtarisë së tyre kushtetuese dhe ligjore, në shërbim të interesave shtetërore dhe kombëtare. 

I siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se do të vijoj të ushtroj me përgjegjësinë maksimale shtetërore dhe kushtetuese detyrat e mia dhe se nuk do të lejoj për asnjë moment të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë