Emanuel Egbo ishte faktor i rëndësishëm në titullin e fituar nga Tirana vitin që lamë pas. Nuk ka asnjë dyshim. Koha ka treguar gjithashtu se largimi i tij nga stoli i kampionëve vetëm pas 2 javësh kampionat, me një fitore dhe një humbje, ishte i gabuar dhe, me sa duket, i përgatitur më parë nga drejtuesit.
E pohon vetë ish-trajneri i bardhebluve, që në një intervistë për “FAX Sport” shkon edhe më tej, duke akuzuar disa kolegë për sjellje të ulët profesionale, pasi kanë punuar kundër tij në studio televizive. “Trajnerët janë gjithmonë me valixhe në duar. E kam ndjerë në momentin kur mora drejtimin e skuadrës, e dija që do vinte një ditë si ajo. Pastaj, mënyra si ika nga Tirana është diçka tjetër. Pronarët dhe admnistratorët e Tiranës duhet të japin përgjigje për ndryshimet, jo unë. Ndoshta ata që kanë lëvizur, nuk kanë dashur të jenë pjesë e klubit, nuk kanë qenë të kënaqur me çfarë ndodhi te Tirana.

Nuk do bëj si disa trajnerë, të cilët shkojnë në studiot televizive. Më vjen keq për ata që kanë më shumë eksperiencë, sepse shkojnë në studio dhe hajde të sulmojmë këtë që nuk është i yni dhe hajde të mbështetim këtë tjetrin. Kush janë? Shikoni intervistat e disa analistëve. Nuk e bëj asnjëherë këtë gjë, të shkoj dhe të shpresoj të shkarkohet dikush për t’i marrë vendin.
Ky fenomen ndodh shpesh në kampionatin shqiptar. Është diçka shumë e ulët, sidomos për një koleg. Ka trajnerë të mirë në Shqipëri. Ata janë të rinj dhe nuk u është dhënë mundësia. Do të doja të ndryshonte ky mentalitet”, – është shprehur Egbo.
Trajneri nigerian pastaj tregon hapur atë që i ka ndodhur konkretisht te Tirana: “Ka nga ata që kanë bërë çmos që të mos dilte Tirana kampione me Egbonë trajner. Nuk mund ta them kush janë, por është shumë e dukshme. Duket nga analizat e bëra. Kanë thënë ‘Egbo nuk është trajner, a ka licencë, është trajner portierësh etj. Unë e tregova veten dhe nuk jam njeri që bëj polemika. Kur jam sulmuar, kam qenë i qetë. Licencën e kam marrë edhe para tyre, duhet t’u jap leksione, ata duhet të më pyesin si e fitova kampionatin, jo të më sulmojnë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje