Politike

Ndryshimet në qeveri, Kuvendi mblidhet në seancë të jashtëzakonshme më 4 janar

Seanca e parë parlamentare për vitin 2021 do të mbahet të hënën më 4 janar. Megjithëse ishte parashikuar të mbahej më 18 janar, ndryshimet në qeveri kanë bërë që të hënën, Kuvendi të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme, për të miratuar dekretet e presidentit Meta për shkarkimet dhe emërimet e ministrave të rinj.
Kryeministri Rama përmes një letre drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, kërkoi që kjo seancë e jashtëzakonshme të mbahej në ditët e para të vitit. Kërkesa u pranua nga Ruçi, i cili ka thërritur seancën e jashtëzakonshme, për në orën 17:00, ku do të miratohen edhe ndryshimet e fundit në qeveri.
Kjo seancë e jashtëzakonshme kushtëzohet nga neni 98 i Kushtetutës, i cili parashikon se dekretet e presidentit për shkarkim dhe emërim ministrash votohen nga Kuvendi brenda 10 ditëve.
Më 29 dhjetor, kryeministri Rama njoftoi në Tëitter se kishte firmosur dy ndryshime në qeveri. Ai emëro Olta Xhaçkën si ministre të Jashtme dhe Niko Peleshin si ministër të Mbrojtjes.
Ndërsa, më 31 dhjetor kreu i shtetit firmosi kërkesën e kryeministrit Edi Rama për kalimin e Olta Xhaçkës nga Ministre e Mbrojtjes, në ministre për Europën dhe Punët e Jashtme dhe riktheu Niko Peleshin si drejtues të dikasterit të mbrojtjes.
Genti Cakaj ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, dha dorëheqjen e parevokueshme, duke u bërë ministri i dytë nga Kosova që largohet nga kabineti qeveritar pas Besa Shahinit dhe të dy me dorëheqje të parevokueshme.
Ndërkohë, Partia Demokratike në reagimin e saj u shpreh se me këto ndryshime në qeveri ricikloi të korruptuarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë