Futboll

U pezullua me 10 javë, FIFA “ngrin” vendimin për anglezin Tripier

FIFA ka pezulluar dënimin prej 10 javësh për mbrojtësin anglez të Atletiko Madrid, Kieran Tripier. Disa ditë më parë ai u dënua nga Federata Anglese e Futbollit, sepse kishte vënë bast me anë të një ndërmjetësi për transferimin e tij në Spanjë, duke përdorur informacione të rezervuara.

Me vendimin e fundit të FIFA-s, lojtari i kombëtares angleze mund të luajë me klubin e tij, Atletikon, në pritje të vendimit të Apelit. Tripier, 30 vjeç, u përjashtua nga çdo lloj aktiviteti futbollistik nga Federata Angleze, por tashmë ai mund të kthehet në fushë për t’u vënë nën urdhrat e trajnerit Diego Simeone.

Përveç dënimit 10-javor, që zgjaste deri më 28 shkurt, FA-ja i vendosi lojtarit edhe një gjobë prej 70.000 stërlinash, rreth 94.000 euro, pasi gjykoi se ai është fajtor sa u takon akuzave të transferimit nga Totenhemi tek Atletiko Madrid. Tripier tani mund të luajë edhe në ndeshjen e 1/8-ve në Ligën e Kampionëve ndaj Çelsit, që zhvillohet më 23 shkurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë