Politike

Vota e emigrantëve, dy rrugë për t’u regjistruar, por 25 prilli mision i pamundur

Strategjia për votimin e emigrantëve është ende në fazën fillestare të saj. Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke diskutuar mbi rrugën që duhet të ndiqet për hartimin e listave të votuesve që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Janë dy variante të propozuara nga palët përfaqësuese të opozitës dhe të mazhorancës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në variantin e parë të mbështetur nga opozita propozohet që emigrantët që duan të ushtrojnë të drejtën e votës nga shteti ku jetojnë, duhet të bëjnë regjistrimin e adresës së tyre nëpërmjet portalit qeveritar, “e-Albania”.

Pas këtij hapi, emigrantët mund të kërkojnë që emri i tyre të futet te lista e shqiptarëve që do të votojnë jashtë vendit duke e hiqur nga listat e votuesve në Shqipëri. Afati për të gjitha këto procedura duhet të kryhet brenda 16 marsit.

Rruga e dytë kërkon që procedurën e regjistrimit ta bëjë vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një sistemi elektronik që do të ngrihet posaçërisht për këtë kategori dhe më pas të përpunohen të dhënat e siguruara nga Gjendja Civile.

Për këtë propozim kërkohet që data e fundit e aplikimit të jetë 11 marsi. Me miratimin e njërit prej këtyre propozimeve i hapet rruga fazës së dytë, që është edhe më e vështira, ajo se si do të votojnë emigrantët, ku mundësia më e madhe mbetet ajo me postë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë