Politike

Bllokimi i investimit në Vlorë, Meta: Fondet për shpërdorim elektoral

ramameta-gazetasi.al

Akuzave të Kryeministrit Edi Rama se po bllokon një projekt madhor infrastrukture në bregdetin e Vlorës, nga Presidenca iu përgjigjën në orët e mbrëmjes së të hënës përmes një qëndrimi zyrtar të zëdhënësit të Ilir Metës, Tedi Blushi.

Blushi thotë se akuzat e Ramës dhe të Dritan Leli janë të inskenuara, të papërgjegjshme dhe për nevoja të propagandës elektorale dhe më pas jep arsyet se përse Presidenti Ilir Meta nuk e ka dhënë plotfuqinë për realizimin e këtij projekti. Presidenca akuzon gjithashtu Ministrinë e Financave se nuk i ka dhënë asnjë informacion mbi termat financiarë të marrëveshjes së huasë me fondin saudit, përmes të cilit do të financohet ky projekt.

“Presidenti Meta në mënyrë të përsëritur ka kërkuar informacion mbi arsyet pse nuk është respektuar procedura kushtetuese dhe ligjore për t’u pajisur me autorizim nga Kreu i Shtetit, për të negociuar termat financiarë të një marrëveshje huaje, që lidhet në emër të Republikës së Shqipërisë“, shkruan zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi.

Në deklaratë thuhet se Presidenti Meta nënkupton se fondet në fjalë janë shpërdorime për nevoja elektorale.

“Kryeministri ende në detyrë synon, që në shkeljet e rënda për këtë marrëveshje, të përfshijë dhe Presidentin e Republikës, me qëllim, që këtë model antikushtetutshmërie ta përdorë edhe në praktika të tjera të ngjashme, që Qeveria ka në proces. Presidenti Meta, sikundër ka bërë publike, është i vendosur dhe nuk do të tolerojë në asnjë rast shkeljen e Kushtetutës”, mbyllet reagimi i Presidencës.

Kryeministri Edi Rama reagoi përmes rrjeteve sociale. Ai thotë se Metës i janë dorëzuar të gjitha sqarimet e nevojshme për projektin në fjalë.

“Projekti gati, financimi gati, por ndërhyrja transformuese përgjatë segmentit Vlorë-Orikum dhe banorët, sipërmarrësit, turistët e asaj zone duhet të presin Ilir Metën! Kam pritur me durim e do presim edhe pak që IM të lexojë sqarimet që i kemi nisur, para se të flasim me Vlorën!”, shkruan Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë