Duke folur për herë të parë si Ministre e Jashtme, Olta Xhacka ka premtuar sot se diplomacia shqiptare duhet të shkëlqejë, pasi është pasqyrë e shtetit shqiptar në sytë e botës dhe për këtë ajo premtoi reformë në shërbimin diplomatik.
“Ky ishte një vit dramatik. Dua të falënderoj kryeministrin Rama dhe kam respekt edhe për Cakaj, për profesionalizmin që ta treguar në detyrë. Jam e privilegjuar që do të kem këshilltarë juve të dy (Rama e Cakaj). Puna juaj e bën punën time shumë më të lehtë”, tha ajo duke folur në një konferencë shtypi krah ish-ministrit Cakaj dhe kryeministrit Rama.
“Nuk më duhet të shpik rrotën, përkundrazi. Por, unë nuk do mjaftohem me atë që kanë bërë ministrat më herët, por të punoj sa më shumë për vendin tonë. Do reformoj shërbimin tonë diplomatik. Kjo ministri duhet të shkëlqejë në çdo drejtim, sepse është Shqipëria në sytë e botës. Vendi ynë duhet të shkëlqejë edhe në Këshillin e Sigurimit”, tha Xhaçka.
“Aq sa eksperienca e madhe është një aset i vyer në një institucion si ky, po aq rutina është një problem i madh kur duhen kapërcyer barriera të reja e duhen bërë pune të reja, siç është edhe puna me integrimin europian për shembull. Dhe në këtë drejtim, që është edhe prioriteti ynë nr 1, jam e kënaqur që puna ka qene intensive. Kryenegociatori duhet të marre jo vetëm përgjegjësinë që e ka marrë, po edhe mbështetjen e plotë nga zinxhiri i punës me integrimin në këtë ministri, duke u koordinuar prej tij dhe duke u përgjigjur para tij.
Rritja sasiore e cilësore përmes digjitalizimit të shërbimeve për shqiptarët jashtë atdheut duhet të vazhdoje me ritme te larta. Askush nuk duhet të ndjehet i lënë pasdore dhe ndodhitë e zvarritjes së qytetarëve para disa kohesh në konsullaten tonë ne Selanik apo në ambasadën tonë në Athine, jo vetëm nuk duhet te përseriten po duhet të mos harrohen asnjeëherë si mësim i madh për shërbimin tone konsullor.
Unë do te krijoj menjëherë një grup pune me ambasadoret me më shume përvoje për të piketuar një serë hapash të mëtejshëm në reformimin e shërbimit tonë diplomatik dhe do t’ju ftoj të gjithëve te jepni idetë tuaja”, tha Xhaçka.
Ndërkohë, Cakaj deklaroi se gjatë dy viteve në krye të Ministrisë së Jashtme, pandemia e tërmeti cenuan punën e diplomacisë, por shtoi se është bërë gjithçka për të unifikuar faktorin shqiptar në rajon.
“Kemi bërë punë shumë të vështira. Tërmeti dhe pandemia cënuan punën e diplomacisë. Ne kemi bashkuar faktorin shqiptar në Mal të Zi, në Serbi dhe në Prishtinë, kemi nënshkruar marrëveshje me një komunë në Preshevë. Kemi bërë gjithçka për unifikimin e faktorit shqiptar në rajon. Kemi mbështetur arsimin në Mal të Zi e në Serbi”, tha Cakaj.
Duke vlerësuar punën e bërë nga Cakaj në Ministrinë e Jashtme, Rama tha se ai u godit në mënyrë absurde.
“Duke qenë i detyruar që ta kryesh detyrën në mënyrë të penguar qysh në krye të herës, si rezultat i një ngërçi absurd, të krijuar institucionalisht. Përtej kësaj unë besoj që në këtë periudhë, detyrat jo të lehta janë përballur me dinjitet dhe sukses.”.
“Pa diskutim që për mua ka qenë një barrë e shtuar dhe në kushte të tjera do të ishte e panevojshme, sepse Genti ka pasur dhe i ka kapacitet për ta mbajtur këtë barë plotësisht, por nga detyrimi i pashmangshëm për ta përfaqësuar Shqipërinë edhe formalisht në nivelin më të lartë të këtij institucioni në kryesimin e OSBE dhe për të mos lejuar që për shkak të formalitet, mungesa e një ministri të Jashtëm të dekretuar të kthehej në një mundësi për të krijuar dhe stimuluar keqkuptime brenda familjes së madhe të OSBE e mora këtë angazhim dhe jam i lehtësuar sot, që këtë angazhim mund t’ia kaloj Oltës”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje