Si presidenti i zgjedhur Joe Biden ashtu edhe presidenti në largim Donald Trump mbajtën tubime të hënën në shtetin e Xhorxhias, ku dy gara që do të përcaktojnë nëse republikanët apo demokratët do të kenë kontrollin e Senatit në Shtetet e Bashkuara. Rezultati i garave për Senatin do të ndikojë në mënyrë dramatike tek funksionimi i legjislativit në gjysmën e parë të mandatit katër-vjeçar të zotit Biden në Shtëpinë e Bardhë. Zoti Biden tha në një tubim në Atlanta të hënën se votuesit në Xhorxhia “do të përcaktojnë drejtimin, jo vetëm për katër vitet e ardhshme, por për brezin e ardhshëm”. Ai tha se banorët e Xhorxhias kishin votuar në numër rekord në zgjedhjet presidenciale në nëntor, duke i dhënë atij një fitore të ngushtë në shtet.
“Tani, ne kemi nevojë që të votoni përsëri në numër rekord,” tha ai. “Është e pamundur të kemi humbur Xhorxhian. Unë mora pjesë në dy zgjedhje. I fitova të dyja”, i tha Presidenti Trump turmës. Zoti Trump pretendoi përsëri në mënyrë të rreme se zgjedhjet e nëntorit ishin “të manipuluara” dhe i nxiti Republikanët të “vërshonin” në votime të martën.”Demokratët po përpiqen të grabisin Shtëpinë e Bardhë, nuk mund t’i lejoni”.
Thjesht nuk mund t’i lejoni të grabisin Senatin amerikan, nuk mund të lejoni që kjo të ndodhë.”Ai vazhdoi sulmet kundër zyrtarëve të Xhorxhias për refuzimin e përmbysjes së humbjes së tij të ngushtë ndaj zotit Biden në këtë shtet në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Sondazhet tregojnë se dy demokratët kanë një epërsi të lehtë në balotazhet që u bënë të domosdoshme sepse asnjë nga katër kandidatët nuk fitoi shumicën e nevojshme në votimet e nëntorit. Xhorxhia është një shtet historikisht republikan. Zoti Biden ishte kandidati i parë demokrat presidencial që fitoi atje që nga viti 1992.
Pjesëmarrja përfundimtare e votuesve për zgjedhjet e Senatit pritet të jetë jashtëzakonisht e lartë, me më shumë se 3 milion vota të hedhura deri tani në votimin e hershëm, dy të tretat e votimit personalisht në qendrat e votimit dhe një e treta me postë.Pesë milion vota u hodhën në Xhorxhia në votimet e nëntorit, por rreth 100,000 njerëz që nuk votuan në ato zgjedhje, e kanë bërë një gjë të tillë në balotazhet për Senatin.Asnjë nga votat e hershme nuk do të numërohet deri të martën në varësi të diferencës në rezultate, fituesit mund të mos shpallen që natën e zgjedhjeve.
Zyrtarët thonë se votimi i hershëm në garat e Senatit ishte veçanërisht i përhapur në zonat demokrate ku fitoi zoti Biden, por republikanët thonë se parashikojnë që pjesëmarrja e tyre të jetë më e lartë në votimin e së martës. Një skenar i ngjashëm u shpalos në nëntor në Xhorxhia dhe në të gjithë vendin kur shumë më tepër demokratë votuan para ditës së zgjedhjeve, ndërsa më shumë Republikanë votuan personalisht në ditën e zgjedhjeve.
Zgjedhjet e Senatit po vëzhgohen nga afër në Uashington si nga ekipi i tranzicionit të zotit Biden ashtu edhe kundërshtarët e tij republikanë, si një tregues i pushtetit që mund të ketë presidenti i ardhshëm në avancimin e programit të tij legjislativ, pasi ai dhe Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris inaugurohen më 20 janar.
Pas ceremonive të betimit të dielën në Kongres, Republikanët kanë aktualisht një avantazh 50-48 në Senat.Një fitore e republikanëve në njërën ose të dyja garat e Xhorxhias do t’i jepte asaj partie shumicën dhe të drejtën për të përcaktuar axhendën e Senatit, si edhe për të kryesuar të gjitha komisionet e Senatit.Nëse kandidatët demokratë Warnock dhe Ossoff fitojnë, Senati do të ishte i ndarë 50-50 mes demokratëve dhe republikanëve, duke i dhënë zonjës Harris mundësinë për të hedhur votën vemdimtare në favor të Demokratëve në drejtim të organizimit të komisioneve dhe kontrollin e kalendarit legjislativ.
Në Shtetet e Bashkuara, nënpresidenti i vendit është president i Senatit.Një kontroll republikan do të komplikonte miratimin e programit legjislativ të zotit Biden gjatë dy viteve të ardhshme, duke shkaktuar negociata të stërgjatura për çështje të tilla si përfitimet e kujdesit shëndetësor, imigracioni apo ndryshimet klimatike. Zoti Trump ka premtuar se gjatë fjalimit të tij në Xhorxhia të hënën në mbrëmje, do të sulmojë përsëri rezultatin e garës presidenciale kundër zotit Biden në atë shtet, ku ai humbi për më pak se 12,000 vota. Një numërim fillestar i votave dhe dy rinumërime, të gjitha nxorrën presidentin e zgjedhur Biden fitues. Në një telefonatë të shtunën, Presidenti Trump i kërkoi zyrtarit më të lartë të zgjedhjeve të shtetit, Sekretarit republikan të Shtetit Brad Raffensperger, që të gjente 11,780 vota të tjera për të përmbysur humbjen e tij ndaj zotit Biden.
Por zoti Raffensperger nuk e pranoi këtë kërkesë dhe i tha televizionit ABC News të hënën se presidenti “thjesht e kishte gabim” kur thoshte se se kishte mashtrime në numërimin e votave në Xhorxhia.Pavarësisht pretendimeve të tij për mashtrim në votimet e nëntorit, zoti Trump po bën thirrje që republikanët të dalin për të votuar për sentorët Perdue dhe Loeffler për të ruajtur shumicën republikane në Senat. /VOA/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje