Futboll

Borxhet e “vjetra”, FIFA bllokon merkaton e Tiranës

Vetëm pak orë pas njoftimit zyrtar për afrimin e bujshëm të Taulant Seferit, sulmuesit të Kombëtares, Tirana ka marrë një lajm shumë të keq. FIFA i ka bllokuar merkaton për shkak të një borxhi të prapambetur, kështu që klubi kryeqytetas, të paktën për momentin, nuk mund të federojë asnjë futbollist.

Konkretisht, bëhet fjalë për një borxh ndaj afrikanit Moktar Cise, i cili ka luajtur me Tiranën në vitin 2016. Dhe është një borxh vërtet i madh, rreth 200 mijë euro. Klubi bardheblu duhet ta paguajë këtë shumë, pasi e ka humbur gjyqin në FIFA. Më pas duhet të shpresojë për një vendim për zhbllokimin e merktos.

Moktar Cise, kur luante me Tiranën. Gazeta Si, 5 janar 2021

Situata komplikohet shumë për kampionët në fuqi, të cilët kishin shpresa se në merkaton e dimrit do të fuqizonin skuadrën, por tashmë nuk mund të bëjnë asgjë. Trajneri Nevil Dede është i detyruar të vazhdojë me atë kontigjent lojtarësh që ka pasur deri tani dhe që e ka lënë larg kreut të renditjes.

Çështja e borxheve të prapambetura nuk është një problem vetëm i Tiranës. Shumë klubeve shqiptare vazhdimisht u është bllokuar merkatoja, sepse humbasin gjyqet në FIFA me ish-lojtarët e tyre. Flamurtari, për shembull, vazhdon ta ketë merkaton të bllokuar, Partizanit iu zhbllokua vetëm një ditë më parë, Skënderbeu gjithashtu kishte probleme në verë, ndërsa tani është Tirana që vuan pasojat.

Ka reaguar pas lajmit edhe klubi bardheblu me një njoftim zyrtar, ku shkruan se Tirana është e përfshirë në çështje si palë e tretë, por pa dhënë detaje konkrete: “Klubi i Futbollit Tirana njofton se po punon në zbardhjen e cështjes së bllokimit të merkatos. Pavarësisht lajmeve që qarkullojnë, theksojmë se nuk bëhet fjalë për asnjë borxh të prapambetur. KF Tirana sqaron se bëhet fjalë për një cështje në të cilën klubi ka qënë palë e tretë. Ky lajm u bë I ditur ditën e sotme dhe klubi vijon të mbetet në bisedime me zyrtarë të FIFA-s për të zgjidhur këtë cështje. Nënvizojmë se për cdo të re apo përditësim njoftimet do të dalin vetëm nga faqja zyrtare e klubit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë