Futboll

Dinamo prezanton dyshen Moriero-Mikoli: Për një zgjim të fuqishëm

Dy emra të njohur të futbollit italian, Françesko Moriero dhe Fabricio Mikoli, kanë marrë zyrtarisht drejtimin e Dinamos. Ashtu siç Gazeta Si kishte bërë me dije ditë më parë, kjo dyshe është përzgjedhur nga presidenti Marko Pontreli, pas largimit të Fabricio Kamaratës për tek Apolonia në Superiore.

Prezantimi i ish-lojtarit të Interit dhe atij të Juventusit është bërë nga presidenti i Dinamos, Pontreli, së bashku me administratorin Ermal Barushi. Gjatë prezantimit, presidenti Pontreli theksoi: “Përshëndesim trajnerin e mëparshëm Kamarata dhe stafin e tij për punën e bërë. Me trajnerin e ri synojmë të kalojmë në një nivel tjetër. Kamarata zgjodhi me dëshirën e tij një rrugë tjetër dhe e mirëkuptova.

Marko Pontreli, presidenti i Dinamos. Gazeta Si, 5 janar 2021

Zgjodha një çift trajnerësh të kualifikuar dhe të njohur në rang ndërkombëtar. Duam t’i japim Dinamos një zgjim të fuqishëm. Nuk është faji ynë që Dinamo që nuk ka stadium, kam gjetur një klub pa një qendër sportive, pa lojtarë, pa fanella. Tani kemi dy fusha në dispozicion. Këta zotërinj kanë vlerësuar më shumë miqësinë se paratë, ndryshe nuk do të ishin këtu. Tifozët më kuptojnë, pasi e kam shpëtuar klubin. Skuadra është përforcuar. Nuk dua të futem në historinë e kaluar, nuk më interesojnë problemet dhe kush e ka pasur fajin. Dinamo ka një identitet dhe unë mbaj përgjegjësi”.

Moriero: Dinamo ka potencial
Pastaj ka folur trajneri i ri i Dinamos, Françesko Moriero. Ai ka theksuar se nuk e kanë sjellë paratë në Shqipëri. “Dinamo? Jo çdo gjë është paraja, kam ardhur më parë për të vëzhguar disa lojtarë dhe krijuam lidhje me presidentin Pontreli. Ai më thirri në Romë dhe biseduam. E kuptova rëndësinë e projektit dhe objektivi ynë primar është të vazhdojmë me këto rezultate. U thashë djemve në stërvitje se duhet të jemi me këmbë në tokë. E rëndësishme është të shkruajmë historinë.

Dua që Dinamo të krijojë identitetin e saj, kam parë disa ndeshje bashkë me Fabricion. Dinamo ka potencial. Në futboll nuk ekzistojnë premtimet, ndeshjet duhen marrë me radhë dhe duhen fituar”, – u shpreh Moriero, i cili ka një karrierë të pasur si trajner. Ai ka drejtuar shumë skuadra, kryesisht në Serinë B, si Krotone, Lançano, Frozinone, Leçe, Groseto, Lugano, Katania, Sambenedeze dhe së fundi Kaveze.

Fabricio Mikoli, ndihmëstrajner i Dinamos. Gazeta Si, 5 janar 2021

Mikoli: Identiteti i klubit nis nga të rinjtë
Ndihmës i Morieros do të jetë Fabricio Mikoli, një emër shumë i njohur, pasi ka luajtur edhe me Juventusin. Përveç rolit të ndihmëstrajnerit, ai do të merret edhe me sektorin e moshave të Dinamos. “Morieron e kam mik, është përvoja ime e parë si trajner. Nuk kam pasur ofertë në Itali. Kam akademinë time dhe isha mira aty, por erdha në Shqipëri për të punuar me Morieron. Deklarata për Falkonen? Ka ndodhur në 2008-ën, ishte ora 05:00 e mëngjesit dhe kishim fituar kampionatin. Kam kërkuar falje. Identiteti i klubit fillon nga të rinjtë, që është përgjegjësia ime te Dinamo. Po të zgjidhja një shembull, do të veçoja Benfikën”, – theksoi Mikoli në prezantim.

Ka folur në fund edhe administrator i Dinamos, Ermal Barushi, duke u fokusuar më shumë te merkatoja: “Nuk kemi nevojë për ndryshime të mëdha në skuadër. Kemi bisedime me 2-3 lojtarë dhe mund të them se e kemi mbyllur me një mesfushor. Mendoj se grupi është i plotë dhe konkurrenca është e madhe. Kemi edhe ekipin U-21 në vend të dytë”, – tha Barushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë