Bota

Gjermania në karantinë deri më 31 janar, ashpërsohen masat

Gjermania do të kufizojë edhe më tej lirinë e lëvizjes për qytetarët, duke e zgjatur izolimin deri më 31 janar.

Masat përfshirë mbylljen e shkollave dhe të bizneseve jothelbësore, janë ndërmarrë në mes të dhjetorit dhe pritej të vazhdonin deri më 10 janar.

Të martën, kancelarja gjermane, Angela Merkel, takoi udhëheqësit e 16 landeve, me të cilët u dakordua për kufizme të reja, që synojnë të zvogëlojnë kontaktet midis njerëzve.

Ato përfshijnë kufizimin e lëvizjes së banorëve në rajone me norma të larta të rasteve me koronavirus, duke i lejuar të lëvizin vetëm në një distancë prej vetëm 15 kilometrash nga shtëpitë e tyre.

“Masat që kemi miratuar janë drastike. Janë më të ashpra”, tha Merkel pas takimit.

Udhëheqësit u pajtuan për kufizime të reja edhe në tubimet private. Njerëzit do të lejohen të takojnë vetëm një person nga një familje tjetër.

Kryetari i Berlinit, Michael Mueller, pranoi se masat janë “të rënda për shumë njerëz”.

Por, ai tha se barra që po vë pandemia e koronavirusut mbi spitalet dhe njësitë e kujdesit intensiv, mbetet e lartë.

Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, Gjermania ka regjistruar mbi 1.8 milion raste me koronavirus dhe mbi 36,000 viktima, prejse ka nisur pandemia në pranverën e vitit të kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë