Futboll

Kukësi e Partizani lirojnë vendet, Vllaznia afron rezervën e Tiranës

Kukësi dhe Partizani nuk kanë zyrtarizuar ende asnjë lojtar të ri, por drejtuesit e tyre po lëvizin në merkato. Të dy këta klube kanë njoftuar sot mbylljen e bashkëpunimit me nga një lojtar secili, duke liruar kështu vendet për ata që do të vijnë gjatë merkatos së janarit.

Klubi i Kukësit ka mbyllur bashkëpunimin me mbrojtësin Kenan Horiç. “Futbollisti Kenan Horiç nuk është më pjesë e Kukësit. Pas një diskutimi mes palëve, është arritur marrëveshja për të ndërprerë bashkëpunimin. Horiç u bë pjesë e skuadrës sonë në verë dhe zhvilloi disa ndeshje në Europë e kampionat”, – shkruhet mes të tjerash në njoftimin e klubit verior, që kuptohet lehtë se nuk ka qenë i kënaqur me rendimentin e lojës së Horiç.

Horiç (djathtas), i larguar nga Kukësi. Gazeta “Si”, 7 janar 2021

Partizani, që pritet të zyrtarizojë afrimet e para, duke nisur nga kapiteni i Bylisit, Valentino Murataj, ka lënë të lirë Besnik Feratin. Mesfushori 20-vjeçar ka qenë pjesë e të kuqve që në vitin 2018. Klubi i Partizanit pritet të jetë nga më aktivët në merkaton e dimrit, ku veç Muratajt, për të cilin ka paguar te klubi ballshiot, ka një akord edhe me brazilianin Stenio Zhunior.

Ferati, lojtari i larguar nga Partizani. Gazeta “Si”, 7 janar 2021

Rrjedhje ka pasur edhe nga Tirana, që së fundi nuk mund të bëjë afrime, sepse FIFA i ka bllokuar merkaton. Nga kampionët është larguar sulmuesi Albion Avdijaj, i cili ishte afruar në verë dhe nuk kishte luajtur gjatë kësaj kohe. Avdijaj ka gjetur menjëherë skuadër të re, ai është prezantuar te Vllaznia kryesuese nga drejtori sportiv Matko Djarmati dhe trajneri Thomas Bërdariç.

Koha do të tregojë, nëse Tirana ka gabuar me trajtimin që i ka bërë sulmuesit, apo nëse Vllaznia është nxituar, duke marrë një lojtar rezervë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë