Futboll

Pozitiv edhe De Ligt, i treti te Juventusi brenda një jave

Një tjetër lojtar pozitiv te Juventusi. Holandezi De Ligt është i treti brenda një jave që preket nga Covid-19 në radhët e skuadrës bardhezi. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi. “Juventus Football Club bën me dije se në kontrollin e parashikuar nga protokolli, ka dalë pozitiv me Covid-19 lojtari Mathijs De Ligt. Ai është izoluar tashmë”, – shkruhet në njoftimin e Juventusit.

Pak ditë më parë, para ndeshjes me Milanin, ishin Aleks Sandro dhe Kuadrado që dolën pozitivë. Mbrojtësi holandez ishte titullar në “San Siro”, në ndeshjen e fituar 1-3 nga bardhezinjtë. Skuadra bëri dy herë tamponë edhe ditën e ndeshjes, në mëngjes dhe pasdite, ku De Ligt kishte rezultuar negativ në të dy rastet.

Mathijs De Ligt, mbrojtësi i Juventusit. Gazeta Si, 8 janar 2021

Tani e gjithë skuadra do t’i nënshtrohet një tjetër tamponi për të qartësuar gjendjen e pjesës tjetër të lojtarëve. Pa De Ligt, Pirlo duhet të ndryshojë planet për ndeshjen me Sasuolon, që luhet të dielën në mbrëmje. Trajneri duhet ta zëvendësojë holandezin me Kielinin, ndërsa reparti i prapavijës do të kompletohet me Demiralin dhe Bonuçin.

Edhe pse rastet janë shtuar, në klubin bardhezi, por edhe autoritetet shëndetësore në Torino, e kanë përjashtuar mundësinë për një një vatër infeksioni te Juventusi. “Jemi njoftuar menjëherë nga klubi, – ka thënë Roberto Testi, drejtues i ASL-së në Torino. – Na rezulton që lojtari është mirë dhe është izoluar. Situata është nën kontroll, nuk ka vatër infeksioni”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë