Elbasani, një prej qarqeve që vlerësohet nga ekspertët si vendimtar në përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme do të jetë një betejë numrash dy. Partia Demokratike ka vendosur si drejtues politik në këtë qark Sekretarin e Përgjithshëm, Gazment Bardhi përballë Taulant Ballës, që mban të njëjtin post në Partinë Socialiste.
“Elbasani është ndoshta shembulli më emblematik që dëshmon se çfarë ka bërë ‘rilindja’ në 8 vite. Dy botë të ndryshme që shtrihen në mënyrë paralele. Ushtruesit e pushtetit, me privilegjet e pasuritë e tyre në simbiozë të plotë me grupet kriminale në një anë dhe njerëzit, qytetarët dhe banorët, të harruar e braktisur, në anën tjetër”, deklaron Gazment Bardhi.
Numri dy i demokratëve është prezantuar këtë të shtunë si drejtues politik i qarkut që nxjerr 14 mandate në zgjedhjet e 25 prillit.
“Njerëzit me pushtet kanë përfituar gjithçka në këto dy mandate. Para, influencë, territor, dhe kanë sunduar me forcë mbi pjesën tjetër. Përfytyroni se si një njeri i vetëm vendos për gjithçka, për punësimin, për tenderat, për shpërndarjen e favoreve, per ndihmen ekonomike, të gjitha këto sipas interesave personale. A mundet që një qark i tërë me rreth 450 mijë banorë të punojë për një grusht njerëzish, përpos se padrejtësi, është edhe fyerje”, vijoi ai.
Bardhi fton qytetarët që t’i bashkohen alternativës së opozitës dhe e cilëson nder emërimin si drejtues politik në këtë qark.
“Elbasani i dijes, i urtësisë, i edukimit, i kontributit madhor në histori, të shndërrohet për 8 vite në provincën ku sundon një bandë që grabit gjithçka. Me 25 prill, Elbasani, Librazhdi, Përrenjasi, Gramshi, Belshi, Cerriku, Peqini, do të çlirohen nga këta pushtues. Është nderi më i madh që më është bërë të jem drejtuesi politik i fushatës në këtë qark, për Partinë Demokratike. Përgjegjësi po ashtu tejet e madhe. Sfidë që më mbush me energji dhe entuziazëm”, shkruan ai.
Sa i takon rezultatit, ndan të njëjtën bindje me Taulant Ballën për fitoren.
“Me Partinë Demokratike, Elbasani do të fitojë vendin që i takon, do të dalë nga varfëria e do të gëzojë potencialin që e ka. Projektet e zhvillimit do të zëvendësojnë pazaret. Merita do të sjellë në krye më të mirët, më të zotët. Sundimi do të zevendësohet me llogaridhënien ndaj qytetarëve. Këtu në zemër të Shqipërisë, “rilindja”, do të marrë një goditje të fortë”, thotë Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së thotë se Qarku i Elbasanit do të jetë në vijën e parë të ndryshimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje