Ne rrjet

Lëkundet mbështetja republikane për Presidentin Trump

Sesioni i përbashkët i kësaj jave i të dyja dhomave të Kongresit u paraqit si shansi i fundit i Presidentit Donald Trump për të zhbërë rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit edhe pse i pamundur të arrihej. Ai u mbështet për këtë në besnikërinë e vazhdueshme të Nënpresidentit Mike Pence, i cili kryesoi zyrtarisht procesin.
Kundërshtimet e republikanëve të kongresit mbi procesin e përcaktuar në kushtetutë të numërimit të votave elektorale që vërtetojnë se demokrati Joe Biden fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin të pritshme.
Por trazirat e shkaktuara nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump dhe pretendimet e tij të pabazuara se zgjedhjet ishin të manipuluara, shkaktuan çarje në murin e mbështetjes republikane për Presidentin Trump.
“Partia Republikane, për fat të keq, po i shërben kultit të individit. Të jesh republikan do të thotë të mbështesësh Presidentin Trump pa marrë parasysh se për çfarë”, thotë Chris Edelson, profesor në Universitetin Amerikan.
Por besnikëria e pashtershme e Nënpresidentit Mike Pence përfundoi të mërkurën, kur u tha mbështetësve atë që i tha Presidentit Trump një ditë më parë, se ai nuk gëzonte autoritet që të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve.
Presidenti Trump e vazhdoi presionin ndaj Nënpresidentit Pence gjatë një tubimi pranë Shtëpisë së Bardhë disa orë para se të fillonte numërimi.
“Gjithçka që Nënpresidenti Pence duhet të bëjë është t’ua dërgojë përsëri shteteve për t’u çertifikuar dhe ne marrim presidentin dhe ju jeni njerëzit më të lumtur”, deklaroi Presidenti Trump përpara turmës.
Para se turma të hynte me forcë në Kapitol, udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell paralajmëroi kolegët e tij mbi rrezikun politik me të cilin përballeshin duke kundërshtuar.
“Kushtetuta na jep këtu në Kongres një rol të kufizuar. // Votuesit, gjykatat dhe shtetet kanë folur të gjitha. Të gjithë kanë folur. Nëse i tejkalojmë ato, kjo do ta dëmtonte republikën tonë përgjithmonë”, tha Senatori McConnell.
Senatori Josh Hawley nga Mizuri ishte i pari që kundërshtoi numërimin e votave elektorale.
Pasi turma u shpërnda dhe në Senat u rivendos rendi, Senatori Hawley nuk u smbraps edhe pasi trazirat kishin forcuar vendosmërinë e demokratëve dhe disa republikanëve për të miratuar fitoren e zotit Biden.
“Për ata që thonë se kjo është thjesht një formalitet sot, një ceremoni antike në të cilën jemi angazhuar për disa qindra vjet, nuk mund të them se jam dakord. //… mundësia për t’u dëgjuar, për të regjistruar kundërshtime është shumë jetësore sepse ky është vendi ku ato kundërshtime duhen dëgjuar dhe trajtuar, debatuar dhe zgjidhur përfundimisht”, tha ai.
Senatori Mitt Romney, kandidati republikan për president në 2012, e vuri përpara përgjegjësisë senatorin e ri e të tjerë mbi mbështetjen e pretendimeve të pabazuara të Presidentit Trump për manipulim në zgjedhje.
“Asnjë hetim nga ana e kongresit nuk do t’i bindë kurrë këta votues, veçanërisht kur presidenti do të vazhdojë të thotë se zgjedhjet u vodhën. Mënyra më e mirë për të treguar respekt për votuesit e irrituar është duke u thënë atyre të vërtetën… Kjo është barra, kjo është detyra e udhëheqjes. E vërteta është se Presidenti i zgjedhur Biden fitoi zgjedhjet. Presidenti Trump humbi. Unë atë përvojë e kam pasur vetë. Nuk është argëtim”, tha ai.
Ndërsa i kanë mbetur vetëm pak ditë nga përfundimi i mandatit, Presidenti Trump përballet me mundësinë e një votimi të dytë për shkarkim, i cili mund të detyrojë anëtarët e partisë së tij, që në një mënyrë a një tjetër të ketë një qëndrim mbi këtë çështje.

Arrestime për dhunën në ndërtesën e Kongresit amerikan
Masat e sigurisë janë shtuar në kryeqytetin amerikan ndërsa gjatë natës u vendosën trupa të Gardës Kombëtare. Autoritetet bënë arrestime të tjera lidhur me dhunën e disa ditëve më parë në ndërtesën e Kongresit amerikan. Zyrtarët federalë thonë se numri i të arrestuarve mund të rritet.
Mëngjesin e së dielës mijëra trupa të Gardës Kombëtare u bashkuan me organet e tjera të zbatimit të ligjit pas sulmit të dhunshëm dhe vdekjeprurës në ndërtesën e Kongresit amerikan.
Të ardhur nga disa shtete fqinje, trupat do të ndihmojnë në vendosjen e perimetrit të sigurisë para inaugurimit të presidentit.
Hetuesit federalë po punojnë për të gjetur motivet pas sulmit ndërsa kanë dalë fotografi të disa protestuesve në sallën e Senatit ku drejtonte punimet nënpresidenti Mike Pence.
Turma brohoriste “Vareni Mike Pence”.
Ndërkohë, policia e Kapitolit po bashkëpunon me agjenci të tjera të rendit për të mbrojtur ligjvënësit gjatë udhëtimit.
Senatori republikan Lindsey Graham u quajt “tradhëtar” në aerportin e Uashingtonit nga mbështetësit e Trumpit të premten, të zemëruar që ai dhe Kongresi çertifikuan fitoren e zotit Biden.
Ndërkohë, autoritetet federale vazhdojnë hetimin dhe arrestimin e të dyshuarve nga sulmi i së mërkurës.
Jacob Chansley, i parë nëpër sallat e Kapitolit, tashmë në pranga. Ligjvënësi i sapo zgjedhur në Virginian Perëndimore, Derric Evan dha dorëheqjen. Ai akuzohet se transmetoi drejtpërdrejt në Facebook futjen e tij në Kapitol. Adam Johnson nga Florida, i parë në foto me zyrën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, akuzohet për grabitje të pronës shtetërore.
Drejtori i FBI-së Christopher Wray ka thënë se akuzat e ngritura deri tani “janë vetëm fillimi i përpjekjeve të vazhdueshme të FBI-së për t’i mbajtur ata përgjegjës” për trazirat e së mërkurës. /VOA


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë