Presidenti Ilir Meta organizoi një tryezë me profesorë dhe ekspertë në lidhje me emigrimin. Ai tha se për nga përmasat e këtij fenomeni, pa frikë mund të thuhet se Shqipëria po përballet me shpopullimin.
Mes shkaqeve të renditura nga Presidenti ishte edhe keqqeverisja, korrupsioni, gjendja ekonomike e sociale dhe mungesa e perspektivës që qytetarët shohin në vend.
“Kjo situatë nuk ka të bëjë vetëm me përkeqësimin e shumë treguesve të rëndësishëm për një shtet serioz, por edhe me kërcënimin e perspektivës së tij për zhvillimin ekonomik dhe social. Kemi disa tregues që ecin në mënyrë negative së bashku në drejtimin më përkeqësues, që nga ritmet e larta të emigrimit, që nga fakti që tashmë largohen jo vetëm ata që nuk kanë punë, por kanë një punë me paga modeste, por edhe ata që kanë një arsim cilësor, apo një nivel të kënaqshëm të të ardhurave dhe mundësive materiale, për shkak të një fenommi të ri që është shtuar, pasiguria dhe mungesa e besimit për një të ardhme të qëndrueshme në vend”, tha Meta.
Presidenti ja faturoi mungesës së besimit për një të ardhme më të mirë në vend edhe rënien e lindshmërisë, ndërsa paralajmëroi se shifrat sugjerojnë se nuk mund të jemi optimistë se situata do të ndryshojë në një plan afatshkurtër.
“Duket se disa statistika e bëjnë të pamundur që të jemi optimistë në një plan afatshkurtër, siç është fakti i 94 për qind të të rinjve që jetojnë jashtë që nuk duan të kthehen dhe aq më keq që 90 për qind e atyre që studiojnë në Shqipëri duan të largohen”, u shpreh ai.
Mes arsyeve të tjera të shpopullimit, sipas Metës është goditja në vitet e fundit e shtresës së mesme, rritja e varfërisë dhe mungesa e rritjes së pagave dhe pensioneve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje