Eliminim i bujshëm i Bajernit të Mynihut në turin e 1/16-ve të Kupës së Gjermanisë. I bujshëm, sepse është eliminuar nga një skuadër e Bundesligës 2, Holstein Kiel, pas gjuajtjes së penalltive. Koha e rregullt dhe 30 minutat shtesë përfunduan në barazim, 2-2. Nojer nuk mundi të priste asnjë penallti dhe bavarezët dështuan.
Kampionët e Europës nuk humbisnin prej 2 vjetësh në një kompeticion me eliminim direkt. Një goditje e fortë kjo , që i ka bërë nervozë lojtarët e Bajernit, veçanërisht sulmuesin Tomas Myler, i cili pas ndeshjes është përplasur me një gazetar gjatë intervistës. Sipas “Bild”, lojtari i Bajernit, i shokuar nga eliminimi, ka debatuar ashpër.

“Më pyet çfarë mendoj tani? Nëse qesh, si mund të të përgjigjem?” – i është drejtuar Myler gazetarit, që i është përgjigjur: “Nuk po qesh, e kuptoj situatën tuaj, por nuk po qesh”. Myler ka vazhduar me bindje: “Sigurisht që po qesh”.
Më pas tonet janë zbutur dhe intervista ka vazhduar pa probleme. Tomas Myler ishte vërtet i nxehur, ashtu si gjithë lojtarët e tjerë bavarezë. Roka gaboi në penalltinë e 6-të të Bajernit, ndërsa Holstein Kiel nuk gaboi asnjë penallti, edhe pse përballë kishte një nga portierët më të mirë në botë, Manuel Nojer. Ky eliminim është edhe një kambanë alarmi për bavarezët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje