Bota

Prag sezoni turistik, Greqia lehtëson masat dhe rihap biznesin e vogël

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis vlerëson se vendi e ka lënë pas krahëve periudhën më të vështirë të pandemisë, që ishte mbajtja e infeksionit nën kontroll përgjatë ditëve të festave. E nisur nga kjo, njoftoi mbrëmjen e së premtes një lehtësim të lehtë të kufizimeve.

Lehtësimet përfshijnë hapjen e aktiviteti për biznesin e vogël, duke nisur me floktoret, qendrat estetike, kontrollet teknike të automjeteve dhe qendrat tregtare. Rinisja e aktivitetit për këto biznese e shërbime do të vëzhgohet për zbatimin e rregullave, si distancimi fizik, higjiena, maskat dhe respektimi i orarit të ndalim-qarkullimit, që nuk ndryshon.

Rregullat kufizuese që do të vazhdojnë të qëndrojnë në fuqi deri në një vendim të dytë janë ora policore, 21:00 me 05:00, lëvizja vetëm me autorizim nga njëra prefekturë në tjetrën dhe ndalimi i grumbullimeve masive në të gjitha ambientet.

Mitsotakis tha se vendi do të hapet gradualisht për t’i paraprirë sezonit turistik. Për këtë arsye, ai i bëri thirrje Komisionit Europian që të miratojë atë që njihet si certifikatë vaksinimi, që do t’u mundësojë të gjithë personave të vaksinuar që të lëvizin lirshëm.

“Ja kam këshilluar Presidentes së Komisionit Europian si masë për të kapërcyer kështu kufizimet në udhëtime. Kjo është mjaft e rëndësishme për vendin tonë në prag të sezonit turistik”, deklaroi ai në fjalën e mbajtur në Parlament.

Përveç masave lehtësuese për biznesin e vogël, Qeveria greke ka njoftuar edhe masa financiare mbështetëse, duke mbuluar edhe për muajin shkurt deri në masën 80 për qind qiratë për bizneset dhe zgjatjen me dy muaj të ndihmës financiare për personat e papunë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë