Politike

Basha: Pagesë për fëmijët deri në 5 vjeç dhe ndihmë financiare për 5 mijë çifte të reja çdo vit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte në banesën me qira të çiftit të sapomartuar Mikel Kungulli dhe Xhesika Rusi, me qëllim që t’u shpjegonte atyre dhe të gjithë familjeve të reja shqiptare çfarë propozohet për ata në programin ekonomik të PD.

“Me planin tonë ekonomik ne i gjendemi pranë të rinjve dhe në veçanti familjeve të reja, çifteve të reja si ju, nga fillimi e deri në vazhdimësi.

Si i gjendemi pranë? E para, për çdo fëmijë të porsalindur do të jepet çdo muaj një përkrahje prej 30 mijë lekë të vjetra. Nuk është ndonjë shumë mrekulli por është një shumë e mjaftueshme për të përballuar kostot shtesë që sjell një fëmijë i porsalindur deri në moshën 5 vjeç, muaj për muaj 30 mijë lekë të vjetra për çdo fëmijë të porsalindur.

Së dyti parashikojmë që të nisim dhe pastaj ta shtrijmë në të gjithë vendin një sistem ku edhe pasi mbaron orari shkollor fëmijët të kenë mundësi sipas mundësive dhe dëshirës së prindërve, të kenë mundësi të qëndrojnë dhe pas orëve të shkollës për të bërë detyra, për të bërë aktivitete jashtë shkollore dhe të mbështetën po kështu me një drekë nga shteti.

Dhe së treti kur është faza e futjes në universitet apo në studime profesionale, parashikojmë për të gjithë ata që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj, mos të paguajnë tarifat e universiteteve, këto tarifa të paguhen nga buxheti i shtetit.

Dhe për familjet në nevojë ekonomike të kenë edhe mbështetje ekonomike për të ndjekur studimet për t’u përgatitur për tu futur në jetë….”, premtoi Basha. Një pike tjetër e programit të PD-së lidhet edhe me subvencionimin 100% të interesave të  kredisë bankare nga shteti për 5 mijë çifte të reja çdo vit.

“Sot këtë mbështetje e gëzojnë drejtorët e administratës. Ndërsa nesër pas 25 prillit këtë mbështetje do ta kenë  5000 çifte në vit. Qëllimi është që brenda 4-vjeçarit të parë  të qeverisë që do të dalë nga 25 Prilli, 20 000 mijë familje dhe çifte të reja të kenë përfituar nga kjo skemë dhe të kenë një banesë të tyren të blerë sigurisht me kredi, por kur interesat e kredisë paguhen 100% nga shteti…”, tha Basha


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë