Futboll

Prepotenca e Bajernit, zyrtarizon blerjen nga rivalët para ndeshjes së tyre

Gafë, apo demonstrim i forcës që ka si klub? Bajern Mynih, kampion i Gjermanisë dhe Europës, ka zyrtarizuar blerjen e mbrojtësit të Lajpcigut pikërisht teksa rivalët po bëheshin gati të luanin ndeshjen me Augsburgun në kampionat.

Ky është stili i Bajernit. Prej vitesh me radhë në Gjermani shumë klube ankohen për strategjinë e Bajernit, që zakonisht blen lojtarët më të mirë të rivalëve në Bundesligë. Në 2013-ën, pak ditë para finales së Ligës së Kampionëve me Borusia Dortmund, që kishte fituar titullin në 2011-ën dhe 2012-ën, bënë bujë tratativat e bavarezëve me Mario Gëcen dhe Robert Levandovskin. I pari kaloi te Bajerni që atë verë, kurse polaku një vit më vonë me parametra zero.

Upamecano, lojtari më i ri i Bajern Mynih. Gazeta Si, 14 shkurt 2021

Nga Dortmundi është marrë edhe Humels, kurse Goretzka nga Shalke. Janë të shumtë shembujt e viteve të fundit, kur bavarezët kanë fituar gjithmonë titullin. Tani rivali më i fortë është Lajpcigu dhe drejtori sportiv i bavarezëve, Hasan Salihamixhiç, ka zyrtarizuar blerjen e mbrojtësit francez, Dajot Upamecano, pikërisht nga klubi i financuar nga Red Bull-i. Asgjë e re, por koha e zyrtarizimit e ka bezdisur klubin aktual të lojtarit.

Upamecano, për të cilin ishin në lojë edhe Çelsi dhe Liverpuli, do të luajë për Bajernin, që shfrytëzoi një klauzolë prej 40 milionë eurosh në kontratën e lojtarit. Fakti që bavarezët e njoftuan blerjen e mbrojtësit pak minuta para ndeshjes së kampionatit mes Lajpcigut dhe Augsburgit (2-1), nuk duket një vendim korrekt. Vërtet Bajerni kampion absolut ka nevojë për këto truke psikologjike për të vënë në vështirësi rivalin? Me shumë mundësi, jo.

“Mua askush nuk më ka thënë gjë. Nëse Bajerni zyrtarizon blerjen e lojtarit dy minuta para ndeshjes sonë, duhet të pyesni drejtuesit e tij, – ka thënë trajneri i Lajpcigut, Nagelsman, kur u pyet për trasferimin e Upamecano në Bavari. – Unë di që lojtari ka një klauzolë për zgjidhjen e kontratës, asgjë më shumë”. As Markus Kroshe, drejtori sportiv i Lajpcigut nuk e konfirmoi marrëveshjen. “E vërteta është që Upamecano ka një klauzolë dhe nuk duhet të na pyesni ne”, – tha ai.

Bajerni i është kthyer stërvitjes pas fitimit të Botërorit të Klubeve. Trajneri Flik u kishte dhënë të tijve 2 ditë pushim, të cilët duhej të paraqiteshin në qendrën stërvitore për të kryer tamponët, pasi Tomas Myler rezultoi pozitiv disa ditë më parë. Ndeshjen e radhës me Bilefeldin do ta luajë në temperatura 30 gradë më të ulëta se në Katar, ku mundi Tigres në finale.

Kalendari është i ngjeshur dhe ndonjë truk si ai i njoftimit zyrtar të blerjes së Upamecano para ndeshjes së Lajpcigut bën punë. Edhe për të treguar fuqinë e tij si klub, edhe pse për të tjerët është mungesë respekti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë