Futboll

Video/ Juventusi gabon gjithçka ndaj Portos, Kieza mban gjallë shpresat

Mbrëmje e errët për Juventusin në “Do Dragao”, ku është mundur 2-1 nga Porto. Kampionët e Italisë kanë stonuar në lojë, duke gabuar thuajse gjithçka dhe duke i komplikuar së tepërmi llogaritë e kualifikimit. Një ndeshje e shëmtuar e bardhezinjve, një nisje shokuese e çdo pjese. Në fund Kieza realizon golin që mban gjallë shpresat për kalimin e turit.

Përveç gabimeve në mbrojtje, Juventusi nuk u ngjit asnjëherë në nivelin e duhur as në sulm. Kristiano Ronaldo nuk u fut asnjëherë në lojë dhe nuk e kërcënoi portën kundërshtare në asnjë moment. Një nga lojtarët më të dobët në fushë për italianët, pas Bentankurit.

Ende pa nisur mirë ndeshja, Juventusi e sheh veten në disavantazh. Një gabim i Bentankur, i cili e kthen topin prapa te Shezni, bën që portugezët të realizojnë që në minutën e dytë me iranianin Taremi, duke i dhënë një goditje skuadrës së Pirlos. Kielini dëmtohet dhe lë fushën pas 35 minutash lojë, duke u zëvendësuar nga Demiral.

Në pjesën e dytë Juventusi merr edhe një goditje tjetër, teksa Porto dyfishon me sulmuesin Marega. Më pas trajneri Andrea Pirlo shton forca sulmuese në fushë, duke aktivizuar Moratën dhe Ramsein. Goli i Federiko Kiezës nuk e shmang dot humbjen e Juventusit, por e mban me shpresë për t’u kualifikuar për në çerekfinale. Në Torino do të mjaftonte edhe një fitore 1-0.

Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes së sotme, Sevilja është mundur në fushën e saj nga Borusia e Dortmundit. Suso kaloi spanjollët në avatazh, por gjermanët përmbysën shifrat menjëherë me golat e Dahud dhe Haland (dopietë). Goli i de Jong në fundin e ndeshjes vetëm sa shkurtoi diferencën në 2-3.

Liga e Kampionëve, 1/8-t
Porto-Juventus 2-1
Sevilja-Borusia Dortmund 2-3
Të martën
Barcelona-PSG 1-4
Lajpcig-Liverpul 0-2


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë