Futboll

Superiore/ Tirana për kthesën ndaj Teutës rivale, derbi i nxehtë në Fier

Java e 20-të e Superiores, e shtyrë javën që shkoi për shkak të motit të ftohtë, luan sot tri nga pesë ndeshjet e saj. Sfida më e rëndësishme është ajo mes Tiranës dhe Teutës, që zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi”, por edhe derbi Apolonia-Bylis pritet me shumë interes.

Tirana e pret Teutën në një situatë jo të favorshme. Vjen nga një humbje dhe duhet të reagojë për të kapur “trenin e fundit” për Kupat e Europës. Dhe duhet ta bëjë këtë pa trajnerin Orges Shehi në stol, i izoluar në shtëpi pasi dyshohet se është infektuar nga Covid-19, por edhe pa lojtarë të rëndësishëm si Najdovski, Torasa dhe Danso. Ekipin do ta drejtojë ndihmëstrajneri Edlir Tetova.

Teuta vjen në këtë transfertë në një gjendje më të mirë psikologjike, ka më pak mungesa dhe është më afër kreut se Tirana. Trajneri Edi Martini do të luajë “kartat” e tij për të dalë me 3 pikë nga kjo ndeshje e rëndësishme. Laçi, një tjetër ekip pretendent për kreun, pret Kastriotin në një ndeshje të lehtë në letër. Te kurbinasit do të mungojë sulmuesi Nuabueze, i dënuar me 10 javë nga Komisioni i Disiplinës.

Nga një ndeshje mes Apolonisë dhe Bylisit. Gazeta Si, 20 shkurt 2021

Në stadiumin “Loni Papuçiu” luhet derbi Apolonia-Bylis, që edhe pse pa tifozë, paraqet gjithmonë interes të madh. Dy skuadrat luftojnë për mbijetesë dhe do të përpiqen t’i marri pikë njëra-tjetrës. Apolonia ka favorin e fushës në ndeshjen e sotme, ndërsa Bylisi nuk ka asgjë për të humbur. Renditjen e kryeson Vllaznia, me 40 pikë, e ndjekur nga Partizani me 34.

Superiore, java e 20-të
Sot, ora 13:00
Tirana-Teuta
Laçi-Kastrioti
Apolonia-Bylis
Nesër
Skënderbeu-Vllaznia
Kukësi-Partizani


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë