Politike

Negociatat me Shqipërinë nuk janë në rend dite të BE-së

Mes pandemisë, mungesës së vaksinave dhe shpërndarjes së fondit të rimëkëmbjes, Bashkimi Europian duket se lënë në harresë temën e zgjerimit.

Presidenca Portugeze do të zhvillojë takimin e saj të dytë ministror për çështjet e përgjithshme javën e ardhshme, por zgjerimi dhe negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk janë futur në rendin e ditës.
Takimi i dytë i ministrave të çështjeve europiane do të mbahet në 23 shkurt pasi vendet anëtare të BE dështuan të miratonin ndonjë konkluzion mbi Ballkanin Perëndimor dy muaj më parë dhe Maqedonia e Veriut u bllokua nga Bullgaria për fillimin e negociatave mbi një mosmarrëveshje dypalëshe.
“Edhe ky takim nuk do të jetë në rendin e ditës, ne nuk kemi asnjë koment për këtë për momentin, ne jemi duke punuar për këto çështje, por ato nuk do të jenë pjesë e diskutimeve,” tha një burim i lartë diplomatik nga Brukseli për mediat maqedonase.
Në dhjetor të vitit të kaluar, pas negociatave midis vendeve anëtare të BE, Republika Çeke dhe Sllovakia vendosën të bllokojnë përfundimet e zgjerimit për Tiranën dhe Shkupin për shkak të insistimit të Sofjes për të futur një fjali në lidhje me një “keqinterpretim të historisë”. Sofja bllokoi gjithashtu kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut.
Kjo ishte hera e parë që nuk kishte konkluzione në lidhje me Ballkanin Perëndimor në samitin e dhjetorit të BE-së.
Që atëherë, tema nuk është kthyer në rendin e ditës dhe diplomatët nuk presin të vihet në agjendë as muajt e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë