“Gjigant si je, mirë…? i drejtohet Kryeministri Edi Rama, ish-Presidentit Alfred Moisiu, një prej emrave nga personalitetet që të dielën në ambientet e “Air Albania” bën vaksinën e parë antiCOVID.
Aty morën vaksinën edhe personalitete të tjera në moshë si, Tinka Kurti, Sherif Merdani, Aleksandër Meksi, Margarita Xhepa, Dhimitër Anagnosti, Roza Anagnosti, Piro Milkani…
Kryeministri Rama i përshëndeti të gjithë, teksa secili prej tyre priste radhën ose minutat e parë pas vaksinës të mbledhur në një sallë me distancë nga njeri tjetri.
Në një tjetër sallë ndodheshin të moshuar të tjerë mbi 80 vjeç.
Kryeministri Rama tha sërish për mediat se me vaksinimin e disa prej personaliteteve nuk bëhet asnjë diferencim, sepse emrat sa më sipër i përkasin moshës mbi 80 vjeç.
“Në sallë ka njerëz të njohur, por edhe krejtësisht të panjohur. Kjo do të vazhdojë gjatë gjithë ditës dhe kështu do të bëhet për të gjithë. Nuk do të zbritet më poshtë, pa përfunduar kjo kategori”, tha Rama.
Kryeministri sqaroi se pas të moshuarve, vaksinimi mund të nisë me mësuesit.
Ajo që ai tha më siguri është se dozat në dispozicion mbulojnë vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve.
“Po punojmë çdo ditë e natë për të garantuar më shumë doza, më shpejt. Ne kemi arsye të jemi besimplotë që do ja dalim për skenarin e vaksinimit për 14 muaj. Është një ambicie e madhe. Dua t’iu them disave që thonë ‘shkoni e merrini nga Kina, jepni lekët’. Nuk kanë nxjerrë tezga dhe o burra kush shkon t’i marrë. E vërteta është se nuk ka vaksina. Ne jemi besimplotë se do të kemi një qartësi shumë shpejt dhe një bazë të gjerë dozash”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje