Bota

BE premton sjelljen e vaksinave në Ballkanin Perëndimor

Edhe pse nuk ka ende një datë se kur mund të mbërrijnë vaksinat e para në rajon, Bashkimi Europian ka premtuar sot se nuk do ta braktisë Ballkanin përballë pandemisë. Përfaqësuesit e  Lartë të Bashkimit Europian (BE) për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë dhe Nënkryetari i Komisionit Europian, Josep Borrell dhe Komisioneri Europian për  Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi i dërguan një letër Ministrit të Jashtëm  të Malit të Zi Djordje Raduloviç, duke theksuar se unioni  është dhe do të jetë i përkushtuar për të mbështetur  Ballkanin Perëndimor në luftën kundër Covid-19.

Letra thekson se BE ka një përgjegjësi të veçantë për të ndihmuar partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe se krijimi i një mekanizmi të BE-së do të siguronte akses të përbashkët në 2.3 miliardë doza të siguruara nga BE, nga të cilët mund të përfitojnë punonjësit shëndetësorë – sipas njoftimit të ministrisë. Zyrtarët e BE theksuan se në këtë krizë, bashkëpunimi dhe solidariteti janë më të rëndësishëm se kurrë, duke kujtuar se BE tashmë ka treguar solidaritet dhe mbështetje të konsiderueshme  për rajonin.

Përveç kësaj,  në letër theksohet se plani ekonomik për Ballkanin Perëndimor përfshin një paketë të konsiderueshme investimesh me vlerë deri në 9 miliardë euro, e cila do të rritet deri në 20 miliardë euro për të mbështetur ekonominë dhe qytetarët. Zëdhënësia e Komisionit Europian, Ana Pisonero, tha se Brukseli është në bisedime me vendet anëtare për dhurimin e vaksinave për vendet e Ballkanit, por shtoi se nuk mund të zbulojë detaje se kur mund të mbërrijnë vaksinat e para në rajon. Komisioni Europian ka deklaruar kohët e fundit se është i vetëdijshëm për nevojat urgjente për vaksinën në Ballkanin Perëndimor.

“Marrëveshja e lidhur nga Komisioni në emër të 27 Shteteve Anëtare ofron mundësinë për të ndarë një pjesë të vaksinave të blera nga BE në vendet e tjera”.“Diskutimet janë duke vazhduar me Shtetet Anëtare dhe ne nuk jemi në gjendje të specifikojmë dozat, vendet përfituese ose afatet kohore në këtë moment kohor. Ne po lehtësojmë këto bisedime dhe jemi të gatshëm për të koordinuar procesin”, deklaron zëdhënësja e KE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë