Ish-nënkryetarja e PD për dy dekada deri 4 vite më parë, Jozefina Topalli, e cila drejton një forcë të re politike (Lëvizja për Ndryshim), tha gjatë prezantimit të listës së Tiranës se emrat e propozuar prej saj janë lista më e mirë e tre dekadave në vend.
“Kjo është lista më e mirë e tre dekadave me profesionistë të nderuar, mjekë e të rinj të shkëlqyer. Janë të pakorruptuar, dinjitozë, njerëz me kurajo”, tha Jozefina Topalli, një deklaratë kjo thumbuese në fakt jo vetëm për kohën e Bashës, por edhe Berishës, njeriut me të cilin ajo bashkëpunoi më ngushtë ndër vite.
Lista e propozuar për Tiranën mbizotëron me emra pedagogësh kryesisht me profil të djathtë por pa eksperiencë politike.
“…Mesazhi nga Kosova apo nga Italia është leksion, është mënyra se si behët politikë në botë. Ne nuk kemi pse të mos bëjmë si bota e civilizuar.
Boll më me riciklim të të njëjtëve persona që kanë provuar dhe shfrytëzuar çdo post qeveritar ne 3 dekada. Boll më me njerëz që aftësinë më te madhe kanë gënjeshtrën dhe pasurimin e familjes së tyre.
Përtej Ramës, Lulzim Bashës e Ilir Metës ka 3 milionë shqiptarë të tjerë, ka plot njerëz të ndershëm e patriotë që mund të qeverisnin me më shumë përgjegjësi.
Ata mendojnë se janë të përjetshëm në pushtet, por gabojnë.
Ata janë përgjegjësit kryesorë që në Shqipëri nuk ka më as shpresë dhe as një të djathtë reale. Ata janë përgjegjësit e një Shqipërie që vuan në stres e pasiguri. Vetëm tek ne ndodh që të mos ketë as qeverisje as opozitë. Madje më shumë demokratë ka jashtë PD-së”, tha Topalli gjatë prezantimit të kandidatëve.
Topalli në ftesën e saj nuk i drejtohet të gjithëve.
“Ftesa jonë nuk është për ata që nuk ndryshojnë mendje. Ata që nuk ndryshojmë mendje nuk ndryshojnë kurrë asgjë. Por këta fatmirësisht janë pakicë.
Ne ftojmë njerëzit mendjehapur, të ndershëm. Ne ftojmë çdo demokrat në shpirt, çdo të ri, prind apo pensionist e progresist.
T’i kthejmë shpresën e dinjitetin vendit dhe çdo shqiptari. Shqipëria nuk është e Ramës, e Metës, e Monës apo e Lulzimit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje