Përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell ka hedhur poshtë kritikat se unioni ka lënë në harresë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke thënë se Brukseli është më i dedikuar se kurrë dhe se janë vendet e rajonit ato që duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë.
Duke folur në një konferencë online, të organizuar nga Këshilli Atlantik, Borrell tha se perspektiva evropiane mbetet motor i reformave në shtetet e rajonit dhe se “nuk është e drejtë të thuhet se BE-ja vetëm flet dhe nuk vepron” kur bëhet fjalë për zgjerimin me Ballkanin Perëndimor.
“Ne jemi duke investuar shumë para për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për realizimin e reformave dhe për përmirësimin e ekonomive të tyre dhe të sistemit politik dhe gjyqësor, në mënyrë që të afrohen me sistemin e BE-së”, tha Borrell.
Duke folur për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe tha se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është një proces që zhvillohet hap pas hapi.
“Po punojmë për negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kemi rinisur negociatat midis Serbisë dhe Kosovës me të dërguarin e posaçëm Mirosllav Lajçak dhe mendoj se e kemi vënë në rrugë atë dialogun”, tha Borrell.
Si prioritete në reformat në Ballkanin Perëndimor, Borrell përmendi gjyqësorin e pavarur dhe luftën kundër korrupsionit.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bëjnë detyrat e shtëpisë, të kryejnë reforma dhe të përmbushin standardet, në mënyrë që të pranohen si anëtare”, tha ai. Sipas tij, mbështetja e BE-së për Ballkanin Perëndimor është më e madhe se mbështetja që merr rajoni nga Kina, Rusia dhe Turqia.
“Plani ynë i investimeve ekonomike për Ballkanin Perëndimor arrin në 9 miliardë euro për adresimin e aspekteve shëndetësore dhe ekonomike”, tha Borrell, duke shtuar se BE-ja po përpiqet të ndihmojë edhe me vaksina ndërkohë që edhe vetë po përballet me mungesë furnizimesh.
Ai po ashtu theksoi se Ballkani Perëndimor ndodhet në mesin e prioriteteve të bashkëpunimit midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.
“Kemi mjaft shenja pozitive. Administrata e re e presidentit amerikan, Joe Biden po punon me aleatët, e njeh rëndësinë e BE-së dhe e konsideron atë mike, e jo vetëm partnere”, tha kryediplomati i BE-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje