Politike

“Gjuha, kocka s’ka, por kocka thyen e komandohet nga truri”. A po rikthehet Bamir Topi në PD?

Ish-nën/Kryetar i PD-së dhe ish-President i propozuar nga kjo forcë politike, Bamir Topi themeloi partinë e tij të re, FRD, pak muaj para se ai zyrtarisht të mbyllte mandatin në krye të shtetit në vitin 2012.

Fryma e Re Demokratike u regjistrua zyrtarisht në gjykatë në prill të vitit 2012 me emrat e Gazment Oketës dhe Aleksandër Biberajt, të dy të qejfmbetur tanimë me Topin dhe të rikthyer në PD shumë kohë më parë.

Pikëpyetja e madhe është për Bamir Topin, njeriu i cili kish lëshuar sinjale pozitive bashkëpunimi me PD-në, më saktë me Lulzim Bashën, qysh prej muajit Gusht të vitit të kaluar.

Burime nga PD-ja thanë për gazeta “Si” se ka pasur komunikime mes Bashës dhe Topit edhe pse ky i fundit formalisht ia ka deleguar negociatat, bashkëpunëtorit të tij ndër vite, Sali Shehut.

Ishte ky i fundit që ngjiti shkallët e PD të mërkurën në mbrëmjë vetëm pak orë nga skadimi i afatit të regjistrimit të koalicioneve në KQZ.

Vetë Bamir Topi nuk ka reaguar ende për këto lëvizje të reja.

Mes Bamit Topit dhe marrëdhënies së tij ndër vite me PD kanë rrjedhur shumë ujëra.

Me një histori të ndërlikuar raporti politik deri në krisje të fortë me ish-kryetarin e PD-së Sali Berisha që u vulos me ngjarjet e 21 Janarit 2011, duke u etiketuar nga ky i fundit si “horr bulevardi”, Bamir Topi me gjasë do t’i ngjisë sërish shkallet e selisë së PD-së, asaj të re, që nuk ka hyre asnjëherë deri më tash.

Bamir Topi doli në një koalicion me PS-së në zgjedhjet vendore të 2015, por bashkëpunimi mes tyre rezultoi me qejfmbetje për rolin që PS i dha në zgjedhje.

Në zgjedhjet e 2017-ës, FRD doli e vetme, duke përjashtuar në mënyrë kategorike bashkëpunimin edhe me Lulzim Bashën.

Në këndvështrimin e tij, alternativat në politikë janë gjithnjë të mundshme, por katër vjet më parë, ai nuk e shihte asesi, Bashën në postin e kryeministrit.

“Shkencërisht kam kuptuar që kurrsesi nuk mund të shohësh një ëndërr, që sheh dikush tjetër…”.

Edhe pse të jep përshtypjen e një njeriu fleksibël, Topi është një politikan që nuk harron kollaj.

I pyetur ndër vite nëse do të afrohej sërish me Sali Berishën ai është përgjigjur: “Unë nuk jam një njeri që kam një mbiemër tjetër, ose më shumë se një mbiemër. Kam individualitetin tim, kam një memorie të fortë dhe nuk harroj kollaj. Gjuha kocka nuk ka, por kocka thyen. Gjuha komandohet nga truri”.

Po çfarë po përdor Bamir Topi në këtë rast?    / N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë