Politike

Meta kundër zgjatjes së afatit të koncesionit të Rinasit: Është antiligjore

Presidenti Ilir Meta është kundër zgjatjes së koncesionit të Aeroportit të Rinasit me 13 vjet.

“Ky ligj dhe marrëveshja shtesë koncesionare ka nivelin më të lartë të antikushtetuesmërisë, por edhe të korrupsionit legjislativ në qeverinë dhe në Kuvendin tonë një partiak.

Shtesa arbitrare është kryer në kundërshtim me rregullat. 

Kjo kontratë shtesë koncesionare është mbajtur larg syrit të publikut. Në faqen zyrtare të Kuvendit nuk është bërë ende publike. Arsyeja është e thjeshtë fshehja nga sytë e publikut të kësaj procedure krejtësisht antikushtetuese, skandaloze dhe ligjore”, tha Meta përmes një konference të posaçme për shtyp.

Shkeljet, sipas tij, janë bërë nga qeveria dhe Kuvendi.

“Propozimi i këtij ligji është miratuar nga Këshilli i Ministrave me vendimin nr 34 datë 27 janar 2021. Ligji është depozituar po brenda datës 27 janar, pra në të njëjtën datë nga qeveria.

Po në 27 janar konferenca e kryetarëve në Kuvend e ka futur në kalendar brenda ditës edhe pse nuk është futur me procedurë të përshpejtuar.

Kësaj qeverie i është dashur vetëm një ditë që ta firmosë, shqyrtojë dhe t’ja propozojë kuvendit për miratim në kundërshtim me çdo procedurë. Kuvendi e ka shqyrtuar në  4 shkurt dhe e ka miratuar në seancën plenare në 8 shkurt.

Është e qartë se me çfarë urgjence e ka miratuar Kuvendit. Ndërkohë që Kuvendi ka në sirtarë ligje me shumë rëndësi, që presin prej vitesh. Procedura e ndjekur dhe zgjatja e afatit të kontratës koncesionare është bërë pa garë”, tha Meta.

Disa shtesa të marrëveshjes së koncesionit, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe shoqërisë koncesionare “Tirana International Airport”, u miratua pak kohë më parë në Kuvend

Ndërtimi, vënia në punë, operimi dhe mirëmbajtja e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” i ka kaluar shoqërisë shqiptare “Kastrati Group”sh.a.

Investimi në infrastrukturën e aeroportit do të bëhet me fonde 100% të shoqërisë koncesionare.  Sipas marrëveshjes, kompania koncesionare “Kastrati Group” do të realizojë një investim me vlerë 99 milionë euro.

Në këmbim marrëveshja e koncesionit do të zgjatet nga 22 në 35 vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë